Gazetarja Klodiana Lala shpjegon goditjen e SPAK ndaj narko-trafikut, personi kyç është Aliu
Një nga operacionet më të mëdha pasurore të viteve të fundit, i zhvilluar nga SPAK, ka çuar në lëshimin e 10 urdhër-arresteve dhe sekuestrimin e pasurive që dyshohet se kapin vlerën e rreth 150 milionë eurove. E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje nga hetimi, duke identifikuar Shpëtim Aliun si figurën kyçe të organizatës së dyshuar kriminale, e cila furnizonte me kokainë disa grupe të rëndësishme shqiptare.
”Shpëtim Aliu ishte vendosur në Ekuador, ku kishte krijuar lidhje me kartelet e drogës dhe siguronte sasi të mëdha kokaine. Ai frekuentonte gjithashtu Dubain dhe konsiderohet furnitori kryesor i disa grupeve kriminale shqiptare. Grupi i drejtuar nga Aliu bashkëpunonte me grupime të lidhura me Dritan Gjikën, Eldi Dizdarin, Armando Paçanin dhe Sokol Bibajn. Fitimet e organizatës ishin marramendëse dhe investoheshin kryesisht në sektorin e ndërtimit, hoteleri, prona të paluajtshme dhe instrumente të tjera financiare.
Nga komunikimet e zbardhura rezulton se bëhej fjalë për miliona euro cash që qarkullonin në periudha shumë të shkurtra. Ka pasur shqetësime të vazhdueshme për mënyrën e pastrimit të parave, ndërsa janë përdorur metoda të ndryshme, përfshirë kriptomonedhat dhe kompani të vogla për të injektuar para në ekonomi. SPAK ka vendosur sekuestro mbi vila luksoze, hotele, sipërfaqe toke, llogari bankare dhe asete të tjera me vlerë të konsiderueshme.
Një element që bie në sy, është fakti se deri tani nuk rezultojnë konflikte të dhunshme apo vrasje mes grupeve të përfshira. Shpëtim Aliu ishte i kërkuar në vende të tjera, por nuk njihej në Shqipëri.Karakteristike është që ky kartel kriminal, nuk rezulton deri tani të ketë patur vrasje mes rivalëve. Kanë bërë biznes të pastër. Ka detaje në dosje thonë “Do të mbysim Europën me kokainë”. Nis 8 ton në muaj, e kështu me rradhë. Grupimet nuk furinzoheshin vetëm nga Shpëtim Aliu, por edhe nga të tjerë, edhe të huaj”,-tha Lala.
KOHA JONË SONDAZH

