Gazment Bardhi: Ministri Hoxha gënjeu publikisht, të shkarkohet
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi sot (14 shkurt) pas deklaratës zyrtare të GJKKO që i kërkoi sqarime Policisë së Shtetit pse nuk ishin marrë masat e sigurisë me efektivë në godinën e drejtësisë gjatë 12 shkurtit, kur mbahej masa e sigurisë ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.
Deklarata e Gazment Bardhit:
“Ministri i Brendshëm gënjeu dje publikisht dhe keqinformoi Kuvendin e Shqipërisë lidhur me mosveprimin e Policisë së Shtetit ndaj tentativës mafioze të drejtorëve batakçi të Bashkisë së Tiranës për të intimiduar fizikisht në krye të detyrës gjyqtarët dhe prokurorët e posaçëm. Ky mashtrim institucional dhe publik i Ministrit të Brendshëm provon edhe autorësinë e urdhrit politik për të penguar drejtësinë që të mbajë përgjegjës para ligjit cilido, pavarësisht statusit të tij.
Erion Veliaj nuk është mbi ligjin. Ai është mik e bashkëpunëtor i afërt i Edi Ramës, por ky i fundit nuk mund të keqpërdorë shtetin dhe Policinë e Shtetit për t’i ardhur në ndihmë një personi që hetohet për korrupsion dhe pastrim parash. Edi Rama mund të zgjedhë të jetë avokat i Erion Veliajt, por këtë duhet ta bëjë privatisht, jo duke keqpërdorur institucionet e shtetit.
Mosveprimi i Policisë së Shtetit, që sipas GJKKO dhe SPAK, ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ, në krye të detyrës, nuk mund të kalojë në heshtje.
Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duhet të shkarkohen menjëherë nga detyra dhe të ndiqen penalisht.
E kundërta, mosveprimi i Edi Ramës, e bën atë jo vetëm drejtpërdrejt përgjegjës për situatën, por është edhe një grusht shteti i pushtetit ekzekutiv ndaj pushtetit gjyqësor, duke zbatuar parimin mafioz se nëse gjykata e prokuroria dënon e heton pa leje, atëherë do jenë të vetëm e pa mbrojtjen e shtetit. Kjo nuk do të ishte thjesht e paprecedentë, por KRIMINALE!”
KOHA JONË SONDAZH

