Genci Xhixha, miliona euro transaksione nga Kuba dhe Kanadaja drejt Panamsë

 

Genci Xhixha, i dyshuari si organizator dhe financues i laboratorit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit, po hetohet edhe për akuzën e “pastrimit të parave”.

Burimet pranë Prokurorisë së Tiranës thanë per ABC se drejtoria e pastrimit të parave pranë Policisë së Shtetit, ka sjellë në prokurori një material voluminoz për Genci Xhixhën, i shpallur në kërkim dhe nënën e tij 64 vjeçare, Maria Xhavara.

Ata dyshohet se brenda një periudhe të shkurtër kohore, kanë kryer transaksione të shumta parash nëpërmjet agjencive të transferimit të parave dhe permes llogarive bankare.

Të gjitha këto transaksione po verifikohen pasi sipas akuzës, rezulton se Xhixha ka dërguar shuma të mëdha parash në Shqipëri, por edhe në vende të tjera jashtë Shqipërisë.

Referuar materialeve të sekuestruara pranë agjencive të transfertave, rezulton se në Shqipëri parate që dërgonte Genci Xhixha nga Kuba, Panamaja apo edhe nga Kanadaja, i tërhiqte nëna e tij 64 vjeçare dhe në disa raste, edhe nipi i Enver Hoxhës, tashmë i arrestuar, Ermal Hoxha.

Ky i fundit, sipas dosjes së Prokurorisë, ka tërhequr shuma të ndryshme parash te derguara prej Xhixhës, të cilat shkonin deri ne 3000 mijë euro.

Sipas prokurorisë, ajo që bie në sy nga ana hetuesve, janë transaksionet e shumta që Genci Xhixha ka bërë nga Kuba e Kanadaja në drejtim të Panamasë.

Nuk jepen konkretisht shifrat e këtyre transaksioneve, por mendohet se ato shkonin ne disa milion euro.

Justifikimi per to ishte se po investonin në ndërtimin e një spitali dhe te nje paneli diellor në Panama.

Në ditët në vazhdim, hetuesit thonë se pritet të bllokohen të gjitha llogarit bankare në emër të Genci Xhixhos dhe nënës së tij, e cila do të merret në pyetje.

Nuk përjashtohet mundësia e pyetjes edhe të nipit të ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermalit, që ndodhet i izoluar në paraburgimit “Mine Peza” si i dyshuar  në rrjetin e trafikut të drogës dhe përpunimit të saj në laboratorin e Xibrakës.

Pak ditë më parë ekspertë te policisë shkencore të Minisrisë së Brendshme njoftuan se në lëndët kimike të gjetura brenda laboratorit të Xibrakës ka përmbajtje kokainë, por pa saktësuar sasine e saj.

Ndërsa në momentin e arestimit të 9 personave të dyshuar si të përfshirë në këtë rrjet, janë sekuestruar rreth 20 kg kokainë.

SHKARKO APP