Gent Progni: Presionet nuk do ta ndalin protestën, qytetarët të qëndrojnë të bashkuar
Në ditën e 18-të të protestës që po zhvillohet përballë Kryeministrisë, aktivisti dhe eksperti i teknologjisë së informacionit, Gent Progni, foli për sfidat dhe presionet me të cilat po përballet lëvizja qytetare.
Sipas tij, protesta synon të kundërshtojë atë që e cilësoi si një sistem të korruptuar dhe të organizuar, ndërsa shprehu bindjen se qytetarët dhe pjesë të administratës së ndershme ndajnë të njëjtat shqetësime. Progni kërkoi përgjegjësi ligjore për figurat kryesore të politikës shqiptare, duke deklaruar se vendi ka nevojë për një model të ri drejtimi dhe për më shumë angazhim nga intelektualët dhe profesionistët.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e mbrojtjes së familjes, edukimit të të rinjve dhe krijimit të mundësive që të rinjtë e arsimuar të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri. Fjalimi i tij u prit me reagime dhe duartrokitje nga pjesëmarrësit në protestë, ndërsa ai mbylli mesazhin me një thirrje për vazhdimin e mobilizimit dhe ruajtjen e unitetit qytetar.
”Të gjithë mekanizmat e shtetit janë vendosur të na intimidojnë, të na bëjnë presione, por kam bindjen se policia është me ne, por janë të shtypur nga ky regjim. Këtu nuk jemi kundër administratës së ndershme që i bëjnë presion. Le të na i fshijnë rrjetet sociale se nuk jemi për ndjekës! Jemi pa parti, nuk jemi për fe, jemi të papërçarë, jemi bashkë për një qëllim”, tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

