
Barcelona po përjeton një sezon të jashtëzakonshëm në aspektin ofensiv nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick. Pas 12 javëve të para të La Liga-s për sezonin 2026/2027, katalanasit kanë realizuar 48 gola, me një mesatare prej katër rrjetash për ndeshje.
Sipas shifrave të publikuara nga e përditshmja spanjolle “Mundo Deportivo”, Barcelona kryeson renditjen e skuadrave me më shumë gola të shënuar në kampionatet kryesore europiane. Diferenca me rivalët është e konsiderueshme: Real Madridi ka realizuar 31 gola, ndërsa Atletico Madrid numëron 23.
Në kampionatet e tjera europiane, Bayern Munich ka shënuar 29 gola në nëntë ndeshje, Roma 31 në 11 takime, Brighton 28 në 10 ndeshje dhe Paris Saint-Germain 22 gola.
Objektivi i skuadrës së Flick është edhe më ambicioz: thyerja e rekordit historik të La Liga-s, që mbahet nga Real Madridi i Jose Mourinhos. Në sezonin 2011/2012, madrilenët realizuan 121 gola gjatë gjithë kampionatit.
Barcelona aktuale ka shënuar 48 gola në këtë fazë, ndërsa Reali i Mourinhos kishte vetëm 36 pas 12 javësh. Edhe skuadra katalanase e sezonit 2012/2013, e cila përfundoi kampionatin me 115 gola, kishte regjistruar 39 realizime në të njëjtën fazë.
Me ritmin aktual, Barcelona mund ta mbyllë sezonin me 152 gola. Një shifër që do të përbënte rekord të ri në Spanjë. Kontribut të rëndësishëm në këtë ecuri kanë dhënë Lamine Yamal dhe Raphinha. Megjithatë, për të hyrë në histori, katalanasit duhet ta ruajnë këtë efikasitet deri në fund të sezonit.
