Gërdeci, Strasburgu “gjobit” shtetin shqiptar, dëmshpërblehet Delijorgji

Mihal Delijorgji, pas tragjedisë së Gërdecit,  do t’i marrë shtetit shqiptar 15.600 euro dëmshpërblim për mbajtje në burg tej afateve të parashikuara me ligj. Biznesmeni Delijorgji doli para Gjykatës së të Drejtave të Njeriut me qendër në Strasburg për seancën gjyqësore kundër shtetit shqiptar, e cila i dha të drejtë pretendimeve të ngritura prej tij.

Kompania e grumbullimit të skrapit “Albademil”, më 15 mars të vitit 2008 u konsiderua fajtore mbi katastrofën e Gërdecit, ku humbën jetën 26 banorë të fshatit, qindra të tjerë u plagosën, mijëra familje humbën shtëpitë, pronat dhe toka bujqësore e tyre u bë e papërdorshme për vite me radhë dhe për këtë shkak u arrestua Deliorgji.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar se gjatë procesit gjyqësor ndaj tij është vërejtur një shkelje e këtyre të drejtave, për respektimin e të cilave Shqipëria është angazhuar me nënshkrimin e Konventës së të Drejtave të Njeriut.

Delijorgji paditi shtetin shqiptar me pretendimin se qëndroi në paraburgim për çështjen “Gërdeci”, nga e cila doli i pafajshëm. Sipas tij, në bazë të Konventës Europiane të së Drejtave të Njeriut, kërkesat e tij për t’u liruar pasi ishin tejkaluar afatet e paraburgimit, nuk janë marrë në shqyrtim brenda një kohe të arsyeshme, sikurse parashikohet nga ligjet.

Delijorgji pretendoi në Strasburg se është mbajtur në paraburgim në mënyrë të padrejtë nga shteti shqiptar dhe kjo i ka shkaktuar atij dëme ekonomike me bizneset që drejton.

Arsyetimi i tij është marrë në konsideratë nga Strasburgu, sipas të cilit, mbajtja në burg e Delijorgjit nga data 24 nëntor 2010 deri më 12 mars 2012 është në shkelje të ligjit dhe se kërkesa e bërë prej tij në Gjykatë për lirim nuk është shqyrtuar me shpejtësinë e duhur.

Si pasojë e shkeljes së Nenit 5 paragrafit 1 të Konventës së të Drejtave të Njeriut (e drejta për liri dhe siguri) dhe Nenit 5 paragrafi 4 (e drejta për të pasur nga gjykatat me shpejtësi ligjërimin e mbajtjes në burgim), Gjykata e Strasburgut ka vendosur që Delijorgjit t’i paguhen nga buxheti i shtetit shqiptar 15.600 euro, si dëm jo material.

Mihal Delijorgji është një ndër biznesmenët më të  njohur në fushën e ndërtimit. Ish-presidenti i klubit të futbollit “Dinamo”  ishte kontraktuar për demontimin e armëve në repartin ushtarak të Gërdecit. Por ai u përfshi në telashe pas tragjedisë së 15 marsit të vitit 2008, i mori jetën 26 njerëzve dhe plagosi 265 të tjerë. Megjithatë, pas qëndrimit në qeli, mori jo vetëm shpërblim moral por edhe monetar. Fatura shkon në dëm të arkës së shtetit shqiptar. 

SHKARKO APP