Giorgia Meloni e sëmurë, duhet të qëndrojë në shtrat dhe në errësirë. Anulon konferencën vjetore
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni nuk është mirë, pasi ka shtyrë konferencën e saj të fundvitit për në 4 janar, për shkak të gjendjes jo optimale shëndetësore. Meloni ka një problem me “otolitet” që e ka detyruar të qëndrojë e shtrirë në shtrat dhe në errësirë për gati dy ditë.
Mbrëmjen e së mërkurës, Meloni u vizitua në shtëpi nga një mjek ORL, i cili diagnostikoi “sindromën otolitike” dhe kreu manovra për zgjidhjen e situatës. Ajo prej disa ditësh vuante nga të përzierat dhe marrje mendsh, duke bërë që të dyshohej edhe për veshin e mesit. Në përfundim të vizitës, specialisti i ORL konstatoi se diagnoza për Melonin ishte “vertigo beninje paroksizmale pozicionale”.
“Tashmë sot në mëngjes, pas manovrës dhe me kollaren që pengonte lëvizjet e befasishme, ajo u ngrit dhe po përmirësohet. Do të duhen edhe disa ditë si masë paraprake”, tha mjeku.