Gjata: Rama do shkelë Kushtetutën, do emërojë dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese njëherësh
Për Partinë Demokratike, Edi Rama nuk synon gjë tjetër vetëm se kapjen e Gjykatës Kushtuese, qëllim që sipas opozitës e ka pasur që në krye të herët.
Sekretari për çështjet ligjore, Çlirim Gjata tha kryeministri tani po e bën haptazi kapjen e këtij institucioni, duke përcaktuar në mënyrë flagrante anëtarët e rinj.
Madje, shton ai, Rama është gati të bllokojë dhe të fusë në ngërç ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Gjata thotë se Kushtetuta është e qartë për sa i përket mënyrës së përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të kësaj gjykate.
Deklarata e plotë e Gjatës:
Edi Rama nuk ka asnjë qëllim të ngrejë institucionet e reja të pavarura të drejtësisë. Edi Rama nuk ka për qëllim të respektojë Kushtetutën për krijimin e Gjykatës Kushtetutese. I vetmi qëllim i Edi Ramës është ai që ka patur prej fillimit – të kapë organet e reja të drejtësisë. Ai po e bën këtë haptazi me Gjykatën Kushtetuese, duke shkelur ligjin dhe kushtetutën në mënyrë flagrante për të paracaktuar anëtarët e rinj të saj, njësoj siç paracakton fituesit e tenderave. Në të kundërt, ai është gati ta bllokojë dhe të fusë në ngërç ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.
I githë procesi ka patur makinacionet e veta teknike të pista, antiligjore për të çuar në përfundimin që do Edi Rama, por akti më antikushtetues i tij është emërimi i paracaktuar i anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese.
Kushtetuta e Shqipërisë e thotë qartë se për të ruajtur balancën mes pushteteve në Gjykatën Kushtetuese, anëtarët e saj zgjidhen me radhë, i pari nga Presidenti, i dyti nga Kuvendi, i treti nga Gjykata e Lartë.
Ky rregull ndiqet për çdo vend vakant, derisa Gjykata Kushtetuese të plotësohet, por Edi Rama ka vendosur ta shkelë Kushtetutën nesër, duke zgjedhur 2 kandidatë njëherësh. Një akt që do të çojë ose në kapjen e Gjykatës Kushtetuese, ose në bllokimin e saj.
Në respekt të Kushtetutës, Presidenti e ka zgjedhur 1 anëtar, por Edi Rama, nëpërmjet veglës së tij Ardian Dvorani në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi ka imponuar një proces të paligjshëm dhe antikushtetues. Rama dhe Dvorani tentuan të detyrojnë Presidentin të zgjedhë sërish një anëtar nga lista e tij me 4 emra, kur, sipas Kushtetutës radha i takonte Parlamentit.
Duke qenë se kandidaturat tek lista e Presidentit dhe tek Lista e Kuvendit janë të njëjtat, Presidenti, me të drejtë, ka kërkuar që Kuvendi të zgjedhë anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë mënyrë, respektohet Kushtetuta për rradhën e emërimeve dhe shmanget paracaktimi i fituesve, duke garantuar një garë minimale.
Duke zgjedhur dy anëtarë direkt, pa respektuar radhën e Presidentit, aq më tepër kur njëra nga listat nuk ka tre emra, Kuvendi i pamundëson Presidentit të dekretojë anëtarin sipas Kushtetutës dhe dërgon në këtë Gjykatë ata anëtarë që i Shërbejnë politikisht.
Qëllimi prapa qëndrimit antikushtetues të Edi Ramës i shërben atij të kontrollojë sa mundet kush do të jenë anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Por jo vetëm kaq. Duke shkelur Kushtetutën, Edi Rama është përgjegjës për një përplasje të re kushtetuese, që për pasojë do të këtë bllokimin e Gjykatës Kushtetuese nga Edi Rama dhe vënien në pikëpyetje të legjitimitetit të saj.
I gjithë procesi i ngritjes së Gjykatës Kushtetuese është kryer nga KED dhe Ardian Dvorani në shkelje të ligjit, por për të ruajtur integritetin e Gjykatës Kushtetuese, Partia Demokratike zgjodhi të mos e politizojë procesin, duke mos i komentuar këto shkelje ligjore me qëllime politike. Tani, me përfshirjen e Parlamentit në shkeljen e hapur të Kushtetutës nga Edi Rama, Partia Demokratike vlerëson se ky akt është i papranueshëm dhe dëmton besimin e publikut tek organet e reja të drejtësisë dhe integritetin e Gjykatës Kushtetuese.