Gjebrea thirrje azilkërkuesve në Gjermani: Kthehuni, ndryshe sanksione

 

Për ti prerë rrugën shqiptarëve që kërkojnë azil ekonomik në Gjermani, qeveria shqiptare do t’i kërkojë këtij vendi të shkurtojë në mënyrë drastike kohën e shqyrtimit të kërkesave për azil.

Zv. Ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea sqaroi në studion e Ora News, propozimin me të cilin do ti drejtohet homologut gjerman, Ministri Tahiri javën e ardhshme.

Gjebrea: “ Ne kemi folur tashmë me autoritetet gjermane. Ministri i Brendshëm Tahiri do të shkojë të hënën për një vizitë pune dhe një takim me homologun gjerman dhe do të diskutohen të gjitha këto. Gjithsesi është e qartë se nuk do të ketë më vlera monetare, do të synojmë të shkurtohen procedurat dhe jemi të bindur se do t’ia arrijmë këtij qëllimi. Të kemi shkurtim dhe kthim të qytetarëve në vendin e tyre”.

Gjebrea i kujtoi shqiptarëve penalizimet që pasojnë deportimin e detyruar nga vendet e BE-së.

Gjebrea: “Ka një kosto për të gjithë qytetarët që kërkojnë këtë lloj forme, e cila është absolutisht e papranueshme në kuptimin që nuk ka azil ekonomik. Në momentin që kthehesh ka dhe penalitete.Nëqoftëse vjen vullnetarisht vetë sigurisht që nuk ka asnjë penalitet dhe duhet të jemi shumë të qartë që të gjithë qytetarët duhet të respektojnë rregullat për lëvizjen për në hapësirën Shengen. 99% e qytetarëve shqiptarë i respektojnë këto dhe janë qytetarë të rregullt të këtij vendi. Dhe flasim për një numër shumë të vogël që sigurisht duhet të kuptojë se do të ketë penalitete dhe do të ketë kosto të rënda në momentin që kthehen. Nëse ata do të marrin një vendim deportimi nga shteti gjerman po themi, sigurisht kjo nënkupton edhe sanskione. Nëse do kthehen vullnetarisht në Shqipëri nuk ka asnjë sanksion. Me këtë rast dëshiroj të bëj dhe një thirrje për qytetarët shqiptarë, të cilët kanë menduar se mund të përfitojnë diçka në Gjermani mos ta zgjasin qëndrimin e tyre por të vinë një orë e më parë në Shqipëri në mënyrë që të evitojnë dhe këto sanksione”.

Zëvendës/ministrja sakëtsoi se qarqet me numrin më të madh të shqiptarëve që largohen janë Fieri Vlora, Elbasani dhe Kukësi.

SHKARKO APP