Gjendja e jashtëzakonshme në Turqi. Ambasada: Nuk ndikon te turistët
Ambasada e Turqisë në Shqipëri ka njoftuar sot për masat e reja që janë marrë nga Qeveria Turke pas vendosjes së gjendjes së Jashtëzakonshme. Vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme erdhi pas dështimit të një tentative për grusht shtetit në këtë vend.
Ambasada njofton se vendimi i Qeverisë Turke nuk ndikon në lëvizjen e qytetarëve dhe nuk ka asnjë efekt te turistët.
Më poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë të Ambasadës Turke:
“Pas tentativës për grusht shteti të kryer me datë 15 korrik 2016, me qëllim zhvillimin e një lufte sa më efektive kundër kërcënimeve që i kanosen, me vendim të Këshillit të Ministrave numër 2016/9064, botuar në Fletoren Zyrtare të datës 21 korrik 2016, me numër 29777 në vendin tonë është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.
Gjendja e jashtëzakonshme e shpallur në të gjithë vendin dhe paketa e masave që do të ndërmerren brenda kuadrit ligjor kushtetues, me qëllim zhvillimin e një lufte sa më efektive kundër kërcënimeve që i kanosen lirive dhe të drejtave të qytetarëve tanë, do të zgjasin tre muaj duke filluar nga data 21.07.2016.
Paketa e masave në fjalë nuk përmban elementë kufizues të lirive dhe të drejtave të qytetarëve.
Masat e sigurisë që do të ndërmerren kurrsesi nuk do të ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve apo në udhëtimet dhe pushimet e vizitorëve të vendit tonë, duke mos përbërë asnjë pengesë për lëvizjet turistike ndërkombëtare dhe qarkullimin e linjave ajrore.
Në të gjitha destinacionet në shkallë vendi nuk ka asnjë situatë negative e cila të mund të cenojë zhvillimin normal dhe të sigurtë të pushimeve nga ana e miqve të ardhur për këtë qëllim”.
KOHA JONË SONDAZH

