Gjenerali Freers: Kontributi i Shqipërisë në kuadër të misioneve të NATO-s, për tu admiruar

 

Rreth 60 përfaqësues të strukturave të SHAPE & NATO si dhe Shefi i Shtabit të Komandës së Aleancës për Operacionet(ACO), Gjeneral Werner Freers, ndodhen në Tiranë, në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën treditore të NATO-s “CIMIC Key Leader Conference”.

Paraditen e sotme, Gjenerali Freers, u prit nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Sipas njoftimit zyrtar në takim, Ministrja Kodheli ka falënderuar gjenereal Freers për organizimin e kësaj konference të rëndësishme  në vendin tonë dhe për pjesëmarrjen e tij dhe të përfaqësuesve të shumë strukturave të NATO-s në këtë aktivitet.

Ministrja Kodheli diskutoi me gjeneralin e NATO-s lidhur me zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë në Europë dhe në kufijtë e saj.

Të dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe rreth rreziqeve që i vijnë Aleancës nga Lindja dhe Jugu, si dhe për masat që janë marrë dhe po merren për parandalimin e tyre.

Më tej, ministrja Kodheli e njohu ushtarakun e lartë të NATO-s, gjeneral Freers, me punën që po bëhet për modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, duke u ndalur veçanërisht në përgatitjen dhe modernizimin e Batalionit të Dytë të Këmbësorisë si repart prioritar në angazhimet në NATO, si dhe me projektet e mëtejshme të zhvillimit në fushën e modernizimit të FA Shqiptare.

Nga ana e tij, shefi i Shtabit të Komandës së Aleancës për Operacionet (ACO), gjeneral Werner Freers, falënderoi ministren e Mbrojtjes Kodheli për pritjen që i rezervoi dhe masat që janë marë për zhvillimin me sukses të Konferencës së NATO-s “CIMIC Key Leader Conference”.

Në mënyrë të veçantë gjeneral Freers vlerësoi maksimalisht kontributin e Shqipërisë dhe Forcave të saj të Armatosura në kuadër të misioneve të NATO-s, duke theksuar se Shqipëria ka treguar dhe po tregon një vazhdimësi për tu admiruar në këtë fushë. 

Komuniteti i CIMIC i Aleancës së Atlantikut të Veriut prej ditës së djeshme po zhvillon në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA-së konferencën e liderëve të CIMIC (CIMIC key leader conference).

Sesionit kryesor të kësaj Konference iu bashkuan sot edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Bazo dhe shefi i Shtabit të Komandës së Aleancës për Operacionet (ACO), gjeneral Werner Freers.

SHKARKO APP