Gjergj Luca biznesmenëve: Të mendojmë jo vetëm për para, të bëjmë diçka që mbetet, diçka për të cilën të tjerët do të krenohen
Nga Albert Vataj
Në një prej rrëfimeve më të sinqerta dhe tronditëse në ndershmërinë e vet, Gjergj Luca shfaqet përballë ndjekësve të tij, jo vetëm si një sipërmarrës i suksesshëm, por si një qytetar që vuan dhe ndjen brenda vetes peshën e përgjegjësisë për vendin ku jeton dhe punon. Në një videomesazh të titulluar “Një rrëfim i sinqertë për veten dhe për të tjerët”, ai artikulon me ton të qartë dhe pa dorashka jo vetëm dilemën personale, por edhe një kritikë të ashpër ndaj realitetit shqiptar, ndaj shpërfytyrimit të sipërmarrjes në një luftë për grykësi, pasuri të verbër dhe zbrazëti shpirtërore.
“Atdheut nuk i duhen vetëm njerëz të pasur. Atdheut i duhen njerëz të ndershëm, njerëz të lumtur,” – është thirrja e tij e kthjellët, që i bie murit të heshtjes dhe hipokrizisë me forcën e një zëri që nuk trembet nga mallkimi, as nga përbaltja, as nga inati i atyre që nuk durojnë të dëgjojnë të vërtetën.
Sepse Luca nuk flet për të rënë në sy. Ai flet se kështu e ndjen, sepse kjo është mënyra e tij për të qenë i gjallë: i drejtpërdrejtë, i sinqertë, pa filtra dhe pa kalkulime. Nuk e vret mendjen kush e shan e kush e mallkon, kush e do apo kush e refuzon. Ai është më shumë se një tregim suksesi – është mishërimi i një ideali: të krijosh diçka që mbetet, që frymëzon, që tejkalon individin dhe bëhet pjesë e përbashkët e së mirës kolektive.
“Kur kalon të gjashtëdhjetat,” – thotë Luca, – “nuk mund të mos i bësh pyetje vetes. Jo thjesht për veten, por edhe për të tjerët. Kush je? Çfarë ke bërë? Çfarë ke lënë pas?”
Dhe kjo introspektivë, që vjen jo si retorikë, por si lëngim i shpirtit që e kërkon kuptimin, e shtyn atë drejt pyetjes më thelbësore: “A kemi bërë gjithçka për të krijuar jo vetëm një biznes, por një model, një emblemë, një trashëgimi që të tjerët ta çojnë më tej?”
Luca shtron një dilemë themelore për çdo sipërmarrës: A po krijojmë pasuri të përkohshme apo vlera që mbeten? A po investojmë në ndërtesa të larta që nuk i shkelim kurrë, apo në ndërtime shpirtërore që frymëzojnë breza?
Me tone të hidhura dhe të mprehta, ai kritikon atë që e quan “gopshëria e sipërmarrësve” – një mentalitet përfitimi i pakufishëm që po gërryen moralin shoqëror dhe po deformon thelbin e asaj çfarë do të duhej të ishte sipërmarrja: një akt ndërtimi, një akt shërbimi, një akt dashurie ndaj vendit.
“Shikoj këta kolegët e mi,” – thotë me keqardhje dhe indinjatë, – “janë të ngopur me para, por bosh në shpirt. U ka ecur, po. Sepse kanë ndërtuar qendra tregtare, resorte, blloqe banimi në vijën e parë të detit, por… asnjë nuk e çojnë deri në fund. Asnjë nuk ndalet të shohë se kush gatuan në kuzhinën e hotelit, kush shërben në restorant, si ndjehet punonjësi. Vetëm ndërtojnë, ndërtojnë dhe shesin, pa e ditur çfarë po bëjnë realisht për këtë vend.”
Në këtë klimë kaotike dhe pa një filozofi të përbashkët zhvillimi, Luca sheh mungesën e një strategjie kombëtare për turizmin si simptomë të një sëmundjeje më të thellë: mungesës së vizionit dhe përgjegjësisë. “Ky vend është një bekim – mikpritës, me natyrë të rrallë, me kulturë e traditë – por si është e mundur që nuk kemi një strategji gjithëpërfshirëse për të?” – pyet me zemërim të arsyetuar.
Për Lucën, problemi i vërtetë nuk është pasuria vetë, por ajo që njeriu bën me të. Ai kritikon me sarkazëm gjithë këtë brez të sipërmarrësve që lindin për të numëruar paratë dhe vdesin pa asnjë kënaqësi të thellë, pa një ndjenjë përmbushjeje, pa një gjurmë të qëndrueshme në tokën që i ushqeu dhe i bëri milionerë.
Në mbyllje, ai sjell një citim domethënës nga Shekspiri: “Rrobaqepës, rri te gërshërët!”, si një urti e vjetër që u kujton njerëzve të rrinë aty ku dinë të japin më të mirën. Të qëndrojnë në vijën e përkushtimit dhe të ndërtojnë diçka që ka emër, që ka ndjesi, që ka frymë. Sepse sipas Lucës, të pasurit e vërtetë nuk janë ata që kanë më shumë para, por ata që krijojnë më shumë kuptim për jetën dhe për të tjerët.
KOHA JONË SONDAZH

