Gjergj Luca dhe vepra e parë humane e “Fondacionit Rozafa”, ndërtimi i shtëpisë së rrënuar nga reshjet të lulishtarit

“Xhevahiri, një burrë zotni e punëtor i palodhur, mbeti pa shtëpi. Reshjet e fundit ia shkatërruan strehën, por ne nuk do ta lëmë në rrugë. Fondacioni Rozafa dhe gjithë punonjësit tanë po angazhohen për ta gëzuar sërish Xhevahirin dhe familjen e tij…”.

Ky është mesazhi i thjeshtë, por thellësisht njerëzor, që Gjergj Luca përcjell në videon e publikuar së fundi në rrjetet sociale, ku shihen punonjës të Fondacionit Rozafa duke punuar për rindërtimin e shtëpisë së njërit prej punonjësve të tyre.

Në këtë akt nuk ka vetëm tulla dhe çimento, beton dhe hekur, përkushtim dhe punë, por një filozofi solidariteti që shkon përtej ndihmës së rastit. Luca shpreh vlerësim të veçantë për Xhevahirin, punëtorin që kujdeset për lulishten dhe për gjithë atë “Kopsht të Edenit” në Fish City, një njeri i heshtur, i përkushtuar, që e ka njohur dhimbjen nga afër. Ai ka humbur bashkëshorten dhe ka mbetur i vetëm për të rritur dhe edukuar dy fëmijë, duke përballuar jetën me dinjitet, pa u ankuar.

Swiss Digital Desktop Reklama

Fatkeqësia natyrore që goditi vendin, duke shkaktuar dëme të mëdha në të mbjella, biznese dhe banesa, nuk e kurseu as shtëpinë e Xhevahirit. Por përballë këtij realiteti të ashpër, përgjigjja e Gjergj Lucës dhe e Fondacionit Rozafa ishte e menjëhershme dhe domethënëse: “Ashtu siç ndajmë të mirat bashkë, duhet të ndajmë edhe të këqijat.”

Swiss Digital Mobile Reklama

Luca bëri të ditur se rindërtimi i shtëpisë së Xhevahirit është vepra e parë humanitare e Fondacionit Rozafa, një fondacion i sapokrijuar që do të administrohet nga gazetari Bled Mane. Ky akt themelues nuk është rastësor: ai shërben si deklaratë vlerash dhe si gur themeli i një misioni më të gjerë human.

Punonjësit e Rozafës, me punë vullnetare dhe përkushtim njerëzor, po i japin Xhevahirit jo vetëm një shtëpi të re, por edhe një ndjenjë sigurie dhe përkatësie. Fondacioni Rozafa synon të jetë pranë jo vetëm punëtorëve të Rozafës, por çdo njeriu në nevojë, duke u shndërruar në një strukturë solidariteti të qëndrueshëm.

Përtej humanizmit social, fondacioni do të vihet edhe në shërbim të artit, filmit dhe teatrit, duke e zgjeruar misionin e tij në mbështetje të shpirtit krijues dhe kulturës. Vetë Gjergj Luca zotohet se nga ky fondacion duhet të lindin të paktën tre vepra konkrete humanitare, si shembull dhe nxitje për të gjithë ata që kanë mundësi, por mbi të gjitha, që kanë zemër. Sepse humanizmi nuk është luks, por përgjegjësi.

Sepse shoqëria ndërtohet jo vetëm me sukses, por me kujdes për tjetrin. Dhe sepse, për të lehtësuar plagët e atyre që janë në nevojë, duhet të bashkojmë zemrat dhe energjitë tona. Fondacioni Rozafa, përmes këtij akti të parë, dëshmon se besimi, mirënjohja dhe bujaria nuk janë fjalë, por vepra. Dhe se humanizmi i Gjergj Lucës nuk është retorikë, por një praktikë e provuar, aty ku nevoja bëhet thirrje dhe ndihma përgjigje.

Albert Vataj

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka të drejtë Trumpi për Groenlandën?