Gjergj Luca me djalin Ndrekën, përshëndet nga Parga e Vilajetit të Janinës

Nga Albert Vataj

Po, nga Parga e Vilajetit të Janinës, një nga katër vilajetet shqiptare të dikurshme. Nga kjo pikë e hartës historike të Shqipërisë etnike, u dëgjua kësaj here fjala e Gjergj Lucës, e shoqëruar me pamje të gjalla dhe të ngrohta familjare.

Sipërmarrësi shqiptar, i cili ka ndërtuar një raport të veçantë komunikimi me ndjekësit e tij, ridoli në këtë përditësi të ndarë me publikun përmes një materiali video ku shfaqet bashkë me djalin e tij, Ndrekën. Në mbishkrimin shoqërues ai shkruan:

Swiss Digital Desktop Reklama

Swiss Digital Mobile Reklama

“Me trashëgimtarin jo vetëm vizitojmë e pushojmë, por edhe mësojmë për historinë tonë. Respekte nga Parga për të gjithë shqiptarët e devotshëm që lanë gjurmë kudo ku shkeli këmba e tyre!”

Në këtë komunikim, Luca ndërthur pushimin me kujtesën, shëtitjen me reflektimin. Ai rrëfen Pargën, këtë perlë të bregdetit perëndimor grek, në Epirin historik, që të magjeps me bukurinë e saj natyrore, me rrugicat e ngushta, me shtëpitë shumëngjyrëshe të ngjitura mbi kodrën që zbret drejt Jonit. Një qytet që të kujton atmosferën e ishujve, ndonëse qëndron mbi tokën kontinentale.

Në bisedë me të birin, Gjergj Luca ndalet jo vetëm te joshja turistike, por edhe te rrënjët historike të këtij vendi. Ai kujton kalanë venedikase të shekullit XI, që ruan ende gjurmët e kohës kur Parga mbrohej nga pushtimet osmane, si dhe kalanë e Anthoussës, ngritur nga Ali Pashë Tepelena në shekullin XIX për të kontrolluar më mirë rajonin.

Ndreka, me pafajësinë e një fëmije, i përgjigjet pyetjeve dhe tregimit të të atit, duke dhënë ashtu spontanisht shijen e një dialogu brezash: ku historia nuk lexohet vetëm në libra, por preket, shihet dhe bëhet pjesë e kujtesës personale.

Parga, e vendosur mes Prevezës dhe Igumenicës, ka qenë për shekuj një nyje e rëndësishme tregtare dhe kulturore. Shqiptarët e Çamërisë dhe të Epirit kanë pasur lidhje të ngushta me këtë qytet, duke e bërë atë një pjesë të pandashme të hapësirës shqiptare në shekullin XIX. Ali Pashë Tepelena, sundimtari shqiptar i Janinës, e pati përfshirë Pargën në strategjinë e tij ushtarake dhe politike, duke lënë pas monumente që edhe sot janë dëshmi të ndikimit të tij.

Mirëpo historia e Pargës është edhe historia e dhimbshme e shpërnguljeve. Pas traktateve të shekullit XIX, veçanërisht pas Kongresit të Berlinit (1878), shumë shqiptarë u dëbuan ose u detyruan të largoheshin nga trojet e tyre në Epir dhe Çamëri. Edhe Parga njohu këtë fat tragjik, ku banorë të saj morën udhën e muhaxhirllëkut drejt viseve të tjera të Shqipërisë, në jug e deri në Kosovë, duke bartur me vete kujtesën e vendlindjes dhe traditat.

Kështu, vizita e Gjergj Lucës me djalin në Pargë nuk mbeti thjesht një ndalesë turistike, por një rikthim simbolik në një hapësirë historike ku gjurmët shqiptare ende flasin. Në këtë bashkëbisedim të thjeshtë familjar u ringjall kujtesa e një qyteti që ka qenë arenë e përplasjes së fuqive të mëdha, por njëkohësisht pjesë e pandarë e mozaikut tonë kombëtar.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?