Gjergj Luca ndan emocionet e ndeshjes Shqipëri-Serbi: “Nuk isha vetëm, Noizyn pata mysafir në Rozafën kuqezi”

Në një mbrëmje që i përkiste jo vetëm futbollit, por edhe krenarisë kombëtare, sipërmarrësi i njohur Gjergj Luca ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale një moment të veçantë që e bën edhe më të paharrueshme përjetimin e ndeshjes së fundit të Kombëtares shqiptare.

“Mbrëmë nuk e pashë ndeshjen vetëm, kisha edhe një mik special i cili, ashtu si mua, deri në sekondën e fundit e përjetoi me emocione. Noizy ishte mbrëmë mysafir në qytezën kuqezi Rozafa…”, – shkruan Luca në një postim të shoqëruar me foto dhe video që dëshmojnë atmosferën elektrizuese në ambientet e “Rozafa Fish City”.

Nën dritat e kuqezinjve dhe emocionet që vetëm Kombëtarja di të zgjojë, qindra të pranishëm, mes tyre personalitete të njohura nga bota e artit dhe biznesit, u mblodhën në këtë qendër simbol të mikpritjes shqiptare për të përjetuar bashkë një nga ndeshjet më të rëndësishme të Shqipërisë.

Noizy, një nga figurat më të dashura të skenës muzikore shqiptare, u bë pjesë e kësaj atmosfere si tifoz i zjarrtë, duke dhuruar përqafime, përshëndetje dhe emocione që kaluan përtej fushës së blertë. Ai u shfaq pranë Luca-s, me flamurin kuqezi mbi supe, duke dëshmuar edhe një herë lidhjen e fortë mes artit, sportit dhe shpirtit të përbashkët shqiptar.

Postimi i Luca-s u shoqërua me përshëndetje të përzemërta për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, që në këtë mbrëmje u bashkuan nën një zemër dhe një ngjyrë. Ai falënderoi të gjithë ata që, përmes zemrës dhe zërit, ishin pjesë e kësaj ngjarjeje sportive, duke e kthyer futbollin në një festë uniteti kombëtar.

“Përjetimi ishte i jashtëzakonshëm, sepse ndamë jo vetëm rezultatin e ndeshjes, por mbi të gjitha emocionin që na bashkon si shqiptarë. Faleminderit të gjithëve që ishin pjesë e kësaj mbrëmjeje kuqezi!”, – përmbylli ai.

Mbrëmja në “Rozafa” nuk ishte vetëm një ndalesë sportive, por një ngjarje që shpërfaqi identitetin, pasionin dhe krenarinë për të qenë shqiptar. Tifozët u larguan me zemrat plot, me shpresën se fitorja e vërtetë është tashmë në unitetin që sporti arrin të sjellë mes nesh.

Albert Vataj

SHKARKO APP