Gjergj Luca në Shkodër për të kujtuar rebelin antikomunist të artit, Agim Radën, sot në ditëlindjen e tij
Nga Albert Vataj
Në një ditë të shënuar, 24 majin, ditëlindjen e Agim Radës, një prej skulptorëve më të spikatur të artit shqiptar, qyteti i Shkodrës, kjo fortifikatë e kujtesës dhe qëndresës, mirëpriti në gjirin e saj sipërmarrësin e guximshëm dhe mikun e tij besnik, Gjergj Luca. Ishte një kthim simbolik, një homazh i heshtur dhe i thellë në vendin që i ngjan shpirtit të Radës. Shkodra, djepi i qytetarisë, kryeqyteti i kulturës shqiptare, vendi ku arti dhe rezistenca kanë lindur si binjakë të një kohe të dhimbshme, por të shenjtë.
Para katedrales së Shkodrës, një nga tempujt më domethënës të besimit dhe qëndresës antikomuniste, Luca ndalet përballë një prej kryeveprave të Radës. Në atë bronz të heshtur, të skalitur me ndjenjën e së shkuarës që nuk harrohet dhe me peshën e një ideali që nuk vdes, ai kujton mikun e tij, një artist rebel, një shpirt i lirë, një krijues që nuk pranoi kurrë të nënshtrohej.
“Sot është dita e lindjes e Agim Radës, rebelit antikomunist që s’u dorëzu kurrë para bindjeve të tij. Nostalgji për artistin e pastër deri në naivitet, që lindi i virgjër dhe ndërroi jetë pa mbushur një vjeç. U prehsh në paqe miku im!” – shkruan Luca, në një dedikim që tingëllon si një poezi mbi skulpturën e shkrirë në përjetësi.
Agim Rada, i lindur më 24 maj 1953 në Tiranë, ishte më shumë se një skulptor, ishte një kujtesë që nuk harroi, një zë që nuk u shua dhe një dorë që modeloi jo vetëm bronzin, por edhe ndërgjegjen kombëtare. Nga Marin Barleti te Petro Marko, nga Onufri te Gjergj Elez Alia, vepra e tij nuk është thjesht përfaqësim, por shpirtëzim i figurave që i dhanë frymë Shqipërisë.
Një ndër punët më të veçanta të tij është padyshim busti i Mit’hat Frashërit, të cilin Rada e ka përshkruar me një ndjeshmëri artistike të rrallë: “E vesha me një buzëqeshje të brendshme, me një papion, sikur të ishte pjesë e vëllezërve Frashëri. Balli i tij, një libër i hapur, sytë – thellësi që flasin. Një figurë fisnike që e mbarti dritën me të cilën ne ende ndriçohemi.”
Ai nuk i harroi kurrë fjalët e Krishtit: “Lëri të marrët të bëjnë çfarë të duan, se do vijë një ditë që gjithçka do të shkojë në vendin e vet.” Dhe për Radën, vendi i drejtësisë ishte arti. Ai krijoi përjetësi, jo për modë apo për politikë, por për të ngjizur dinjitetin e kombit në formën më sublime të tij, artin monumental.
Veprat e tij nuk iu përkulën pushteteve kalimtare. Ai vetë pohonte: “Nuk kam bërë kurrë art të politizuar. Kam modeluar vetëm figura që i kanë qëndruar kohës, jo të përkohshmit që sot janë në majë e nesër në harresë.”
Agim Rada vdiq më 11 korrik 2023, në moshën 70-vjeçare, por ai nuk u nda kurrë nga kombi që e deshi dhe që ai e deshi me shpirt. Në dorën e tij u bashkuan historia, estetika dhe sakrifica, si në një skicë që nuk përfundon kurrë.
Në këtë 24 maj, Gjergj Luca e kujtoi jo vetëm mikun e tij, por edhe misionin që ai la pas. Duke u ndalur në Shkodër, ai bëri një akt që shkon përtej një vizite, bëri një betim të heshtur për të mos lejuar që figura si Agim Rada të mbulohen nga harresa. Në një epokë që shpesh harron shpejt, kujtesa është akt rebelimi, dhe rebelët e artit, si Rada, jetojnë pikërisht në këtë kujtesë të ndriçuar.
KOHA JONË SONDAZH

