Gjergj Luca nga Barcelona: Evropa është e ardhmja, dëgjoni edhe ju të “Shqipërisë Madhështore”
Nga zemra e Barcelonës, në panairin më të madh ndërkombëtar të industrisë së peshkut dhe prodhimeve të detit, Seafood Expo Global, sipërmarrësi shqiptar Gjergj Luca u bë zëri i një thirrjeje që shkon përtej biznesit: Shqipëria duhet të përqafojë Evropën, jo thjesht si projekt politik, por si realitet mundësish dhe zhvillimi.
Në një atmosferë ndërkombëtare ku konkurrenca dhe cilësia mbretërojnë, Luca solli shembullin e Vičiūnai Group nga Lituania – një vend që, ndonëse ndodhej nën hijen e komunizmit pak dekada më parë, sot është një aktor i fuqishëm në tregjet evropiane dhe globale. Vičiūnai, fituese e një prej dy çmimeve të mëdha në konkursin Seafood Excellence Global Awards 2025, përfaqëson gjithçka që mund të bëhet kur një komb zgjedh progresin dhe integrimin.
“Shikoni Lituaninë, shikoni Estoninë. Vende që dolën nga një e shkuar e përbashkët me ne. Sot janë në zemër të Bashkimit Evropian. Ndërsa ne… jemi ende te dera,” – thotë Luca, me tonin e një sipërmarrësi që kërkon për vendin e tij atë që Evropa ofron: garanci, siguri, perspektivë dhe dinjitet.
Luca nuk i ndan biznesin nga përkatësia evropiane. Në Barcelonë ai përfaqëson Shqipërinë jo vetëm me produkte cilësore të detit, por edhe me një filozofi pune që ka synuar gjithmonë standardet më të larta – pikërisht ato që kërkon tregu evropian. Sukseset e partnerëve si Kalaneuvos Oy nga Finlanda dhe Vičiūnai Group janë, për të, shembuj të drejtëpërdrejtë të asaj çfarë bëhet e mundur në një Evropë ku konkurrohet ndershmërisht dhe vlerësohet cilësia.
“Që nga viti 1991, Vičiūnai është rritur çdo vit, duke prodhuar për 57 vende të botës. Janë bërë të fuqishëm sepse janë pjesë e një unioni që i mbështet, i hap rrugë dhe i mbron,” – kujton Luca.
Ndërsa Shqipëria afrohet me një moment zgjedhor më 11 maj, Luca nuk e fsheh shqetësimin që shumë shqiptarë vazhdojnë të qëndrojnë në dyshim për rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ai i bën thirrje të gjithëve që të mos i shohin integrimin si një ëndërr abstrakte, por si një domosdoshmëri konkrete për zhvillim dhe dinjitet.
“Evropa është shansi ynë, është sfida jonë dhe është e ardhmja që nuk duhet ta humbasim.”
– përfundon Luca, duke i ftuar shqiptarët të votojnë dhe të vendosin për një Shqipëri që më në fund e sheh veten pjesë të përparimit dhe të Evropës Madhështore që ai përfaqëson.
AV
KOHA JONË SONDAZH

