Gjergj Luca pas homazheve në Akademinë e Arteve: “Lamtumirë i dashur Artur, le gjurmë në këtë jetë dhe kjo është e rëndësishme!”
Pas homazheve në Akademinë e Arteve, Gjergj Luca u shfaq i tronditur nga ndarja me mikun e fëmijërisë dhe të rinisë, intelektualin e shquar Artur Zheji. Me një video të ndarë në rrjetet sociale, ai e përjetësoi dhimbjen e tij, duke shfaqur një revoltë të brendshme dhe një pikëllim të thellë për humbjen e një figure të pazëvendësueshme të mendimit publik shqiptar.
Në fjalët e tij u përplasën dy gjendje të shpirtit: vajtimi për mikun e shtrenjtë dhe ulërima ndaj hipokrizisë, që shpesh shoqëron ndarjet e mëdha.
“Të qaj apo të ulëras për vdekjen e Artur Zhejit? – pyeti Luca. – Më mirë po ulëras për llumin e hipokrizisë që ca njerëz, ata që dje e baltosën dhe e plagosën, sot shfaqen me një aktrim amator të dhembshurisë, të cilës nuk i gjen dot vend.”
Në këtë mesazh, Luca nuk u kufizua vetëm te pikëllimi personal. Ai nxori në pah atë që ishte më thelbësore tek Arturi: forca e mendimit të trashëguar nga një familje e mendjes dhe e penës, formimi i tij akademik dhe roli i tij si një zë i lirë dhe kritik në median shqiptare. Për Lucën, Artur Zheji nuk ishte thjesht një shok i fëmijërisë dhe i Akademisë, por një mendje e lirë që la gjurmë të pashlyeshme në kulturën dhe jetën publike të vendit.
Mesazhi i tij u mbyll me një lamtumirë që ngërthen dhimbjen, respektin dhe kujtimin e përjetshëm:
“Lamtumirë i dashur Artur, le gjurmë në këtë jetë dhe kjo është e rëndësishme!”
AV
KOHA JONË SONDAZH

