Gjergj Luca sjell historinë frymëzuese të dy vëllezërve shqiptarë në zemër të turizmit grek

Nga Albert Vataj

Ka histori që duhen treguar jo thjesht për të informuar, por për të frymëzuar. Ka rrugëtime që ngjallin jo vetëm admirim, por edhe krenari të thellë kombëtare. Këtë herë, Gjergj Luca, njeriu që ka lidhur emrin e tij me suksesin e “Rozafës” dhe me kauzat e zhvillimit ekonomik e profesional të vendit, nuk flet për problematikat e turizmit shqiptar dhe jo vetëm, por na sjell një shembull të gjallë të asaj që mund të bëhet kur pasioni, përkushtimi dhe identiteti kombëtar ecin bashkë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në një video-prezantim të ngrohtë e të sinqertë, ai na bën pjesë të historisë së dy vëllezërve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, duke gdhendur emrin e tyre në industrinë e turizmit elitar të vendit fqinj.
I pari, i vendosur në Greqi që kur ishte vetëm një vjeç, u formua profesionalisht në Athinë, ku kreu studimet për turizëm. Sot, ai është menaxher i një prej hoteleve më të njohura dhe më prestigjioze të Greqisë, një pozitë që kërkon jo vetëm aftësi, por edhe guxim për të dalë në ballë të sfidave.
I dyti, i lindur dhe rritur në tokën helene, po ecën në gjurmët e vëllait të tij, duke studiuar turizëm në Janinë, me një horizont të hapur për mundësi të mëdha.
Por historia e tyre shkon përtej CV-ve dhe titujve. Ajo është histori e shqiptarëve që nuk harrojnë gjuhën e tyre, që mbajnë të gjallë kujtesën e origjinës dhe që e kthejnë identitetin në forcë. Ata flasin shqip me krenari dhe punojnë me një etikë që i nderon, duke treguar se shqiptarët mund të arrijnë majat më të larta të suksesit, kudo që ndodhen.
“Nuk do të lodhem së promovuari dhe së kërkuari mbështetje për arsimin profesional në Shqipëri – aty ku rriten filizat e së ardhmes. Ato vajza dhe djem që do të mbajnë mbi shpinë bujqësinë dhe turizmin, duke forcuar ekonominë kombëtare dhe rajonale,”, shkruan Luca në shoqërim të këtij prezantimi.
Ky është një mesazh i fuqishëm: nuk është e rëndësishme vetëm të mbërrijmë lart, por edhe të tregojmë rrugën, të ndihmojmë të tjerët të ngjiten.
Këta dy vëllezër janë ambasadorë të heshtur të kombit tone, jo në sallat e konferencave, por në vijën e parë të punës, aty ku përvoja, profesionalizmi dhe korrektësia flasin më shumë se fjalët.
Sot, ata i përkasin turizmit grek, por në zemër janë dhe mbeten shqiptarë. Dhe ndoshta, një ditë, rrugët e tyre do t’i çojnë sërish në atdhe, për të sjellë këtu jo vetëm përvojën e tyre të vyer, por edhe modelin e një sipërmarrjeje që ndërtohet mbi punë të ndershme, mbi pasion dhe mbi respekt për klientin.
Sepse suksesi i tyre është suksesi ynë, një dëshmi e gjallë se kombi shqiptar nuk është i vogël, për sa kohë bijtë e tij mendojnë e veprojnë me madhështi kudo që ata janë.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?