Gjermani, kudo lule dhe qirinj, si homazh për viktimita në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg
Pas goditjes fatale me një automjet në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, ndaj të dyshuarit të arrestuar është lëshuar një urdhër arresti. 50-vjeçarit iu caktua paraburgimi me akuza për pesë akuza për vrasje, tentativa të shumta për vrasje dhe disa akuza për lëndime të rënda trupore, tha policia në Magdeburg të dielën herët në mëngjes. I dyshuari doli para gjykatësit të shtunën në mbrëmje. Ai tani duhet të jetë në paraburgim.
Përkujtohen viktimat – kudo lule dhe qirinj
Shumë njerëz në Magdeburg, kryeqytetin e landit Saksoni-Anhalt kujtuan viktimat dhe të afërmit e tyre mbrëmjen e së shtunës. Sipas vlerësimeve të policisë, më shumë se 1000 njerëz morën pjesë vetëm në përkujtimoren para katedrales – ku u vendos një ekran i madh në të cilin u transmetua një meshë nga katedralja. Në shumë vende në qytet, qytetarët vendosën lule dhe ndezën qirinj për viktimat. Gjatë ditës në Magdeburg erdhi edhe Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i cili foli për një “akt të tmerrshëm, të çmendur” që të godet në zemër. Scholz apeloi në Magdeburg të shtunën, që të mos lejohet të fitojnë ata që e përdorin këtë për të përçarë shoqërinë.
Prokurorët federalë po shqyrtojnë rastin
Pas goditjes që la të vdekur pesë persona dhe 200 të plagosur të premten në mbrëmje, u arrestua nga policia i dyshuari një mjek psikiatër nga Bernburgu. Ai njihej si kritik i Islamit dhe vjen nga Arabia Saudite. Hetuesit thanë se ishte një autor i vetëm i krimit dhe sipas njohurive të deritanishme nuk ka prova për një person të dytë. Sipas të dhënave të policisë, ky person përdori korsinë e emergjencës që mbahej e lira për të futur makinën e tij nëpër tregun e Krishtlindjeve dhe për të vozitur rreth njerëzve me shpejtësi të madhe. Sipas autoriteteve, katër gra të moshës 45, 52, 67 dhe 75 vjeç dhe një djalë nëntë vjeçar ndërruan jetë.
Nuk dihet ende saktësisht, se çfarë e motivoi autorin e dyshuar për të kryer krimin. Sipas të dhënave të deritanishme të prokurorosë, motivi mund të ketë qenë pakënaqësia me trajtimin e refugjatëve nga Arabia Saudite në Gjermani. Kështu u shpreh prokurori i lartë publik Horst Walter Nopens në Magdeburg. Hetimet po vazhdojnë të kryhen nga policia në Saksoni-Anhalt. Zyra e prokurorit federal është ende duke kontrolluar nëse do të marrë përsipër hetimin, thanë autoritetet e sigurisë në Magdeburg. Zyra e Prokurorit Federal ndjek penalisht krimet që kanë të bëjnë me sigurinë e shtetit nëse ato janë të kategorizuara si të një rëndësie të veçantë.
DW / la/ag