Gjermania kundër ndryshimit të njëanshëm të Kushtetutës: Respektoni 5 qershorin

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf, ka reaguar kundër ndryshimeve të njëanshme kushtetuese nga qeveria “Rama”. Në një deklaratë për mediat, Zingraf shprehet se ndryshimet në Kushtetutë duhen realizuar vetëm me konsensus.
Ai thekson se reforma zgjedhore është një prej kushteve të Bashkimi Europian dhe Bundestagut për hapjen e negociatave.
Deklaratë e Ambasadorit Peter Zingraf:
Shpreh keqardhjen që megjithë marrëveshjen e arritur dhe tanimë të vendosur në ligj të 5 qershorit reforma zgjedhore e nisur në mënyrë të suksesshme është duke marrë sërish tipare konfliktuale përmes ndryshimeve kushtetuese.
Unë respektoj rolin institucional të parlamentit, por njëkohësisht kuptoj që prej marrëveshjes së 5 qershorit rezultojnë pretendime legjitime për një dialog gjithëpërfshirës. Ndaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve të bashkëpunojnë për implementimin ligjor të ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor si dhe të respektojnë marrëveshjen e 5 qershorit.
Në këtë kontekst duhet të diskutohen në mënyrë të veçantë çështjet e listave të hapura dhe roli i koalicioneve parazgjedhore me të gjithë aktorët politikë në Këshillin Politik në frymën e përfshirjes dhe të bashkëpunimit.
Shqipëria gjendet përpara mundësive dhe sfidave të mëdha – përmend këtu vetëm bisedimet e anëtarësimit në BE, rindërtimin pas tërmetit dhe kapërcimin e krizës Corona dhe pasojave të saj. Në një situatë të tillë rregullat e qartë e transparentë për zgjedhjet e ardhshme, të pranuar nga të gjitha palët politike, janë me rëndësi thelbësore për të ardhmen e vendit.
Sjell në vëmendje, që reforma zgjedhore mbetet një element qendror në përmbushjen e kushteve të formuluara nga Këshilli i BE-së (dhe në mënyrë të ngjashme nga Bundestag-u) përpara Konferencës së Parë të Anëtarësimit me BE-në dhe se zbatimi i suksesshëm i saj është një prej kushteve të grupit të dytë.

Lexoni edhe…

SHKARKO APP