Gjermania na mbështet me aparatura, Manastirliu: Kemi rritur me 50% kapacitetet në terapinë intensive

”Kapacitetet e terapisë intensive në aparatura jetëshpëtuese janë rritur me 50%”. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë ceremonisë së dorëzimit të 10 respiratorëve të rinj nga ambasadori gjerman në Tiranë, në spitalin Covid 2 ”Shefqet Ndroqi”, tha se po përgatitemi për përballimin e situatës së vjeshtë-dimrit, me disa skenarë.

”Falë mbështetjes së qeverisë shqiptare, BE-së dhe partnerëve të tjerë kemi arritur të dyfishojmë flotën e aparaturave në terapinë intensive. Jemi përpara një situate e cila është serioze. Kemi rreth 200 pacientë të shtruar në të dy spitalet Covid. Falë angazhimit të qeverisë, për të fuqizuar kapacitetet spitalore, vetëm në skenarin e parë ne kemi të dedikuar më shumë se 500 shtretër në dispozicion të qytetarëve të cilët kanë nevojë për trajtim spitalor. Në planin tonë të vjeshtë-dimrit kemi forcuar akoma më shumë kapacitetet e spitaleve rajonale, duke dyfishuar shtretërit në dispozicion të trajtimit të Covid-19”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi nga spitali ”Shefqet Ndroqi” se do të intensifikohen inspektimet në terren, në shkolla, aktivitete biznesi etj, për respektimin e masave anti-covid. ”Kjo nuk është një luftë që fitohet vetëm me rritjen e kapaciteteve, por ka shumë rëndësi sjellja e qytetarëve. Strukturat tona po vijojnë punën në terren për të monitoruar zbatimin e masave anti-covid në aktivitete biznesi, në shkolla dhe në aktivitete të tjera, pasi është shumë i rëndësishëm zbatimi i masave, për të patur një ecuri të kontrolluar të epidemisë”, tha Manastirliu.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf shprehu mbështetjen e vazhdueshme për Shqipërinë nga vendet e Bashkimit Europian. ”Jam shumë i kënaqëur për ndihmën e vazhdueshme nga vendet e Bashkimit Europian që treguan edhe një herë se janë aleatë të ngushtë të Shqipërisë. Edhe shtete të veçanta si Gjermania kanë ofruar akoma më shumë ndihmë, siç është kjo e sotmja me aparatura të teknologjisë së lartë për frontin e luftës kundër pandemisë, për të rritur nivelin e punës së stafit mjekësor”, tha ambasadori gjerman gjatë ceremonisë së dorëzimit të respiratorëve në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Plani vjeshtë-dimër i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për përballimin e Covid-19 parashikon rritjen e kapaciteteve spitalore, duke përfshirë edhe spitalet rajonale. Ministrja rikonfirmoi edhe angazhimin financiar të qeverisë shqiptare për vaksinën anti-covid dhe kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për respektimin e masave për kufizimin e përhapjes së Covid-19. Manastirliu ndau dhe me stafin e spitalit “Shefqet Ndroqi” angazhimin e qeverisë jo vetëm për të vijuar pagesën e bonusit special për mjekët në vijën e parë të përballjes me Covid-19 por edhe rritjen e konsiderueshme të pagave për të gjithë mjekët dhe infermierët, duke filluar nga viti që vjen.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?