Gjiknuri-Neziri: Projekti Radika, vetëm sipas ligjeve ndërkombëtare

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri është takuar sot me ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë, Bekim Neziri, me të cilin ka diskutuar për disa çështje.

Në një konferencë të përbashkët, për mediat, krahas bashkëpunimit ministrat cekën edhe çështjen e projektit që devijon lumin Radika për ndërtimin e një hidrocentrali në Maqedoni. Gjiknuri dhe Neziri ishin të një mendje kur thanë se ky projekt është i realizueshëm vetëm me konsensus.

“Kemi ngritur një grup pune për shkëmbime informacionesh për ujërat e përbashkëta, do të thotë marrje informacioni në kohë në lidhje me derdhjet e ujërave që të shmangim çdo lloj të papriture. Për sa i përket lumit Radika, kjo është një projekt ide, por çdo gjë duhet të bëhet konform ligjeve ndërkombëtare por që duhet marrë edhe mendimi i Shqipërisë, të shmangen spekulimet”, tha Gjiknuri.
Ministri maqedonas, nga ana e tij deklaroi se, “Ne do respektojmë të gjithë marrëveshjet. Ky projekt nuk realizohet pa pasur konsensus, mund të realizohet vetëm me pëlqim nga të dy vendet”.

Gjiknuri tha më tej se, Shqipëria e Maqedonia pritet të bashkëpunojnë edhe në kuadër të projektit TAP.

Ekzistenca e një projekti të qeverisë së Maqedoninë për devijimin e rrjedhës normale të lumit Radika dhe kanalizimin e tij drejt lumit Vardar që derdhet në Greqi, shkaktoi jo pak shqetësim në Tiranë dhe Dibër.

SHKARKO APP