GJKKO lë në burg Vangjush Dakon, avokati: Lapsus i prokurorisë, nuk ekziston vepra penale
Nën akuzë për shpërdorim detyre, GJKKO lë në burg ish-kreun e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Pas më shumë se 5 orë seancë, Gjykata e Posaçme vendosi masën e sigurisë ”arrest me burg”.
Avokati Petrit Ismaili, tha se klienti i tij i ka kundërshtuar akuzat dhe se prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë për lënien e Dakos në burg sipas tij. “Prokurori nuk paraqiti asnjë provë për këtë veprim të ngutshëm të ndërmarrë, gjithashtu nuk dha asnjë provë për të justifikuar masën e sigurisë. Kërkesa jonë ishte ndryshimi i masës së burgimit pasi nuk ka duket e nevojshme. Dako ka qenë kryetar bashkie dhe ka ushtruar detyrën përmes strukturave, për të cilat nuk mban përgjegjësi kryetari i bashkisë. Ka një lapsus të prokurorisë. Është e provuar që vepra penale nuk ekziston”, u shpreh ai.
Dako akuzohet se ka shkelur detyrën për një pallat 11 katësh, që ka ndërtuar shtesë pa leje si dhe për një tender për rërën në plazhin e Currilave, ndërsa ndaj tij zyrtarisht rëndojnë akuzat për ”shpërdorim detyre” dhe ”falsifikim dokumentesh”. Ai gjatë seancës teksa tha se nuk e ka shkelur ligjin, kërkoi lirim përmes garancisë pasurore.
Përpara gjykatës Dako ka dhënë sqarime, në lidhje me tenderin për blerjen e projektit për zhvillimin e vijës bregdetare, nga zona e Brrylit deri në Currila, me pretendimin se nuk kam pasur dijeni dhe gjithçka ka qenë në dorën e specialistëve.
Ish-kryetari i bashkisë së Durrësit, tha se kjo procedurë prokurimi publik është zhvilluar nga specialistët dhe se ai nuk ka qenë në dijeni. Dako ka thënë edhe se nuk e ka shkelur në asnjë moment procedurën e prokurorimit për këtë tender. Lidhur me lejen e pallatit, Vangjush Dako është shprehur se nuk ka pasur dijeni sesa kate është pallati.
Masat e dhëna nga GJKKO
“Arrest me burg”
Vangjush Dako
Fiqiri Farruku
Adnand Toçila
“Arrest shtëpie”
Adrian Bulku
Ferzilet Hajderi
Meri Semin
“Detyrim Paraqitje”
Djana Deda