Gjoba e PD, Bashkia: Gjykata na dha të drejtë
Gjykata Administrative vendosi sot të lërë në fuqi dy pikat e gjobës që Bashkia e Tiranës kishte vendosur ndaj subjektit politik, Partia Demokratike, për ndotje të mjedisit, rrugëve dhe trotuareve të qytetit. Bashkia e Tiranës njofton se gjoba ishte për urinim në publik, hedhje mbeturinash, zbrazje plehrash jashtë kontenierëve, grafiti në sipërfaqe publike, akte të cilat u kryen gjatë protestës së thirrur prej saj në 8 dhjetor 2015.
Në vendimin e sotëm Gjykata Administrative vendosi: “…lënien në fuqi të akteve administrative të lëshuara nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit të datës 08.12.2015 për sa i përket konstatimit të kundërvajtjes administrative të “Dëmtim, çarje, ndotje rruge” me anë të Aktkonstatimit” nr. 035198 dhe “Procesverbalit mbi kundërvajtjen administrative” nr. 015103 për dënimin e subjektit “Partia Demokratike e Shqipërisë” në shumën dhjetë mijë lekë, si dhe kundërvajtjen administrative të “Dëmtim, çarje, ndotje trotuari” me anë të “Aktkonstatimit” nr. 0135199 dhe Procesverbalit “Mbi kundërvajtjen Administrative” nr. 015104 dhe dënimin e subjektit “Partia Demokratike e Shqipërisë” në shumën dhjetë mijë lekë.”
“Ky vendim i jep të drejtë Bashkisë së Tiranës, duke e detyruar Partinë Demokratike të paguajë një gjobë prej 200 mijë lekësh, si zhdëmtim ndaj qytetarëve të Tiranës për ndotjen që militantët e saj i shkaktuan qytetit në protestën e thirrur nga drejtuesit e PD rreth një vit më parë.
Bashkia e Tiranës e përshëndet vendimin e drejtësisë që vendos një precedent të penaliteteve ndaj një subjekti politik që ndot hapësirën publike. Megjithatë, Bashkia do të apelojë edhe pikat e tjera të gjobës, duke ndjekur të gjitha rrugët ligjore, derisa Partia Demokratike t’u paguajë qytetarëve çdo qindarkë për shkatërrimin dhe vandalizimin që i bënë qytetit të Tiranës në të njëjtën protestë”,- njoftoi Bashkia.
Lidhur me këtë vendim, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se: “Drejtësia vonon, por fitoi Tirana! Qyteti është i të gjithëve, vandalizimi nuk duhet toleruar! Ashtu si për këndin e lodrave të Liqeni, triumfoi puna e jo dhuna!”
KOHA JONË SONDAZH

