Gjobat e prapambetura, tani evidentohen me anë të një aparature në rrugë

Të gjithë drejtuesit e automjeteve që janë debitorë, do ta kenë të pamundur për t’i shpëtuar efektivëve të policisë rrugore, për shkak të vendosjes së pajisjes re të quajtur “Skaut”, e cila identifikon gjobat e prapambetura.

Sipas shefit të Menaxhimit Interurban në Qarkullimin Rajonal të Tiranës, Altin Mena, vetëm në dy ditë që është aktivizuar pajisja “Skaut”, janë pezulluar rreth 100 leje drejtimi.

 “Me anë të aparatit “Skaut”, i cili është pozicionuar rreth 1.5 km më larg dhe ndalon , konstaton dhe jep me radio të gjitha ato automjete që janë debitorë.Është dita e dytë e këtij postoblloku policor apo zbatimi të këtij plani masash dhe janë rreth 120 drejtues automjetesh që janë debitorë ndaj policisë”, tha ai.

Lidhur me parandalimin e aksidenteve rrugore Mena, theksoi se janë vendosur autopatrulla të policisë rrugore në çdo segment të shpejtë, me qëllim ndeshkimin e drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

“Në këto pika apo akse rrugore ku kemi patur aksidente si pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuara kemi ngritur postoblloqe për të parandaluar aksidente rrugore si dhe për të rritur sigurinë rrugore në rrugë”, shtoi shefi i Menaxhimit Interurban në Qarkullimin Rajonal të Tiranës.

Aksioni i policisë rrugore do të shtrihet në të gjitha pikat hyrëse dhe dalëse të kryeqytetit, teksa me pajisjen “Skaut” do të pajisjen edhe Drejtoritë rajonale në të gjitha qarqet e vendit.

 

SHKARKO APP