Gjobat e prapambetura, tani evidentohen me anë të një aparature në rrugë

Të gjithë drejtuesit e automjeteve që janë debitorë, do ta kenë të pamundur për t’i shpëtuar efektivëve të policisë rrugore, për shkak të vendosjes së pajisjes re të quajtur “Skaut”, e cila identifikon gjobat e prapambetura.

Sipas shefit të Menaxhimit Interurban në Qarkullimin Rajonal të Tiranës, Altin Mena, vetëm në dy ditë që është aktivizuar pajisja “Skaut”, janë pezulluar rreth 100 leje drejtimi.

Altin Mena: “Me anë të aparatit “Skaut”, i cili është pozicionuar rreth 1.5 km më larg dhe ndalon , konstaton dhe jep me radio të gjitha ato automjete që janë debitorë.Është dita e dytë e këtij postoblloku policor apo zbatimi të këtij plani masash dhe janë rreth 120 drejtues automjetesh që janë debitorë ndaj policisë”.

Lidhur me parandalimin e aksidenteve rrugore Mena, theksoi se janë vendosur autopatrulla të policisë rrugore në çdo segment të shpejtë, me qëllim ndeshkimin e drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

Altin Mena: “Në këto pika apo akse rrugore ku kemi patur aksidente si pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuara kemi ngritur postoblloqe për të parandaluar aksidente rrugore si dhe për të rritur sigurinë rrugore në rrugë”.

Aksioni i policisë rrugore do të shtrihet në të gjitha pikat hyrëse dhe dalëse të kryeqytetit, teksa me pajisjen “Skaut” do të pajisjen edhe Drejtoritë rajonale në të gjitha qarqet e vendit.

SHKARKO APP