Gjobë fiktive subjektit për duhanpirje, procedohen 2 inspektorë dhe kryeinspektori i ISHSH
Dy inspektorë dhe kryeinspektori i ISHSH Elbasan janë proceduar në gjendje të lirë pasi i vendosën gjobë fiktive një subjekti.
Sipas burimeve për faxweb.al kryeinspektori i proceduar është Hektor Musaraj, ndërsa hetimi nisi nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan.
Njoftimi i plotë i policisë:
Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan proceduan në gjendje të lirë shtetasit:
• H.M., 45 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë (kryeinspektor), pranë ISHSH , dega Elbasan.
• E.M., 31 vjeçe, banuese në Elbasan, me detyrë ( Inspektore), pranë ISHSH, dega Elbasan.
• A.M., 46 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë (Inspektor), pranë ISHSH dega Elbasan.
Procedim ndaj këtyre shtetasve filloi pasi, më datë 11.11.2019, në kuadër të kontrollit anti-duhan, dyshohen se kanë vendosur gjobë fiktive, ndaj një subjekti.