Gjosha: Të vendosur për të avancuar me axhendën europiane

Ministrja e Integrimit Europian,  Klajda Gjosha, priti sot në një takim  një grup deputetësh të Bundestagut të Gjermanisë,anëtarë të Komitetit të Çështjeve Europiane të Bundestag-ut.

Gjatë takimit me Thorsten Frei (CDU), z. Manuel Sarrazin (Bündnis 90/ Grüne) dhe z. Andrej Hunko,(Die LINKE), Christian Petry (SPD),  Ministrja Gjosha,  shprehu vlerësimin  për mbështetjen e madhe të  Gjermanisë, në lidhje me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. 

Ministrja Gjosha, theksoi se ky proces është prioritet kombëtar i qeverisë shqiptare, e cila po ndërmerr të gjitha reformat e nevojshme për të avancuar më tej me axhendën europiane.

Grupi i deputetëve të Bundestagut të Gjermanisë, u interesua për ecurinë e 5 prioriteteve që Shqipërisë i janë lënë si kusht deri në hapjen e negociatave.

Ministrja Gjosha, i informoi deputetët për  hapat që janë ndërmarrë deri tani, raportimet e grupeve të punës që janë ngritur për secilin nga këto prioritete,  si dhe pritshmëritë  për një sërë reformash që do të ndërmerren në vijim.

Theksi i bisedës u vu tek reforma në drejtësi, ku bashkëbiseduesit shprehën dakordësinë se kjo reformë është e domosdoshme së pari për të rikthyer besimin e qytetarëve te tek institucionet e drejtësisë, por gjithashtu thelbësore edhe për avancimin me procesin e integrimit.

Gjithashtu,  gjatë takimit u nënvizua rëndësia e përfshirjes së gjithë aktorëve në procesin e integrimit, veçanërisht shoqëria civile dhe opozita. Duke u ndalur tek kjo e fundit, Ministrja Gjosha u shpreh se qeveria e konsideron opozitën pjesë të procesit, dhe ka kërkuar vazhdimisht praninë e saj për çështjet e integrimit, pasi integrimi i përket  gjithë shqiptarëve të cilët  duan ta shohin sa më shpejt vendin e tyre krah vendeve të tjera evropiane.   

SHKARKO APP