Gjykata e Lartë, shumica kritika Presidentit për mungesë konsultash

Komisioni i Ligjeve zhvilloi sot një seancë dëgjimore me dy gjyqtarët e dekretuar nga Presidenti i Republikës për anëtarë të Gjykatës së Lartë, Markelian Koçi dhe Fuat Vjerdha.

Gjatë seancës, mazhoranca shprehu kritika ndaj institucionit të Presidentit, i cili nuk ka zhvilluar konsulta me krerët e grupeve parlamentare përpara përzgjedhjes së kandidaturave.

Po ashtu kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj deklaroi se Presidenca nuk ka dërguar pranë institucionit të Kuvendit, dokumentat që përcakton ligji në rastet kur gjyqtarët aplikojnë për të qenë anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Në janar të këtij viti, Presidenti dekretoi emrat e Markelian Koçi dhe Fuat Vjerdha për anëtar të kësaj hallke të gjyqësorit, edhe pse shumica përmes një letre kishte kërkuar që anëtarët e rinj të dekretoheshin pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për Gjykatën e Lartë.

Ligji parashikon krijimin e një institucioni këshillimor pranë Presidentit, për zgjedhjen e kandidaturave të Presidentit. Nisur nga mungesa e konsultave, pritet që shumica të rrëzojë edhe këto 2 dekrete.

Markelian Koça është prej 20 vitesh jurist dhe ka ushtruar detyrën e gjyqtarit të shkallës së parë. Po kaq është edhe eksperienca e Fuat Vjerdhës, i cili 14 vite të punës i ka ushtruar në Gjykatën e Apelit.

SHKARKO APP