Gjykata Kushtetuese kthen kërkesën kundër financimit të koncertit të Kanye West
Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar ende për shqyrtim kërkesat e paraqitura nga Partia “Shqipëria Bëhet” dhe Shoqata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” për shfuqizimin e Aktit Normativ që parashikon financimin e pjesshëm të koncertit të Kanye West në Tiranë.
Në Gjykatën Kushtetuese u depozituan dy kërkesa, me objekt shfuqizimin e Aktit Normativ nr. 3, datë 6 korrik 2026, “Për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare”, si dhe pezullimin e zbatimit të tij. Gjatë verifikimit paraprak, Gjykata konstatoi se të dyja kërkesat ishin të paplota dhe nuk shoqëroheshin me dokumentacionin e kërkuar nga ligji.
Partia “Shqipëria Bëhet” nuk kishte bashkëlidhur aktin e themelimit dhe statutin e partisë, ndërsa Shoqata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” nuk kishte paraqitur dokumentet që provojnë statusin e saj juridik, si dhe aktin e përfaqësimit për avokatët e deklaruar në kërkesë.
Gjykata Kushtetuese i ka regjistruar kërkesat si të paplota dhe ua ka kthyer kërkuesve për plotësimin e dokumentacionit, duke u lënë në dispozicion afatin ligjor prej 10 ditësh për të korrigjuar mangësitë. Padia lidhet me vendimin e qeverisë për financimin e pjesshëm të koncertit të artistit Kanye West.
KOHA JONË SONDAZH

