Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e PD për Diellën
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar në shumicë kërkesën e PD, lidhur me emërimin e ministres virtuale, Diella.
Kërkesa e deputetëve të opozitës ishte paraqitur në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar dekretin presidencial lidhur me emërimin e “Diellës” në qeveri.
Vendimi:
Gjykata Kushtetuese, në datën 26.05.2026, mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve çështjen, në kërkesë nr. grup prej 39 deputetësh të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (Kuvendit), në cilësinë e subjektit kushtetues jo më pak se një e pesta e deputetëve (kërkuesi), me objekt: “Shfuqizimin e nenit 2 te dekretit nr. 331, datë 12.09.2025, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë “Për emërimin e Kryeministrit”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Shfuqizimi i nenit 1, pika 1, fjalia e dytë, të dekretit nr. 333, datë 15.09.2025, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë “Për emërimin e Këshillit të Ministrave”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”.
Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot në datën 08.10.2026, pasi shqyrtoi objektin e kërkesës, natyrën e thelbin e pretendimeve të parashtruara nga kërkuesi, si dhe prapësimet e subjekteve të interesuara vërejti se:
Së pari, kjo është një çështje e re, për të cilën nuk ka pasur qëndrime të mëhershme në kontekstin e inteligjencës artificiale.
Së dyti, përdorimi i inteligjencës artificiale nuk mund të ndryshojë rendin kushtetues dhe ligjor të ushtrimit të kompetencave publike, të përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Përdorimi i një mjeti teknologjik nuk mund të krijojë, zgjerojë, transferojë ose zëvendësojë këto kompetenca. Në kërkesë të tillë buron nga parimi i shtetit të së drejtës dhe ligjshmërisë.
Së treti, në rastin konkret, kërkuesi ka pretenduar, në thelb, se përmes dekretve të kundërshtuara, Presidenti ka krijuar një strukturë të re ministrore dhe i ka ngarkuar Kryeministrit një përgjegjësi që nuk buron nga Kushtetuta ose ligji, duke cenuar kompetencat kushtetuese të organeve të tjera dhe garancitë kushtetuese për emërimin e ministrit. Mbështetur mbi këto argumente dhe parashtruesit bazës ligjore të përzgjedhur nga kërkuesi, Gjykata e vlerësoi çështjen sipas natyrës dhe objektit të saj, duke analizuar kompetencën e saj të përcaktuar nga shkronjat “c”, “ç”, dhe “e” të pikës 1 të nenit 131 të Kushtetutës.
Lidhur me shkronjën “c” të pikës 1 të nenit 131 të Kushtetutës, në parim kjo dispozitë i jep kompetencë Gjykatës për të vendosur për pajtueshmërinë e akteve normative të organeve qendrore dhe vendore me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare, Në çështjen konkrete, Gjykata arrin në përfundimin se formulimi i kundërshtuar është i aftë të prodhojë një efekt juridik individual ndaj Kryeministrit, por nuk rezulton se ai ka efekt kushtetues autonom për krijimin e kompetencave ose strukturave të reja dhe në çdo rast efekti i tij nuk ka karakter normativ. Për rrjedhojë, çështja nuk mund të shqyrtohet bazuar në nenin 131, pika 1, shkronja “c” të Kushtetutës.
Lidhur me shkronjën “ç” të pikës 1 të nenit 131 të Kushtetutës, në parim kjo dispozitë parashikon kompetencën e Gjykatës për mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve. Në çështjen konkrete, Gjykata çmon se ekzistenca e një mosmarrëveshjeje kompetencash me natyrë kushtetuese nuk mund të varet nga qëndrimi i shprehur i organeve të përfshira as ato ndodhen në konflikt, por nga natyra e kompetencave të pretenduara dhe nga fakti që akti ose sjellja e një organi mund të ketë mbi sferën e kompetencave kushtetuese të një organi tjetër. Nga ana tjetër, çështja në kërkesë konkrete legjitimohet për të një ngritur një mosmarrëveshje të tillë lidhur me legjitimitetin e tij ratione personae, kriter të cilin ai nuk e përmbush, pasi nuk rezulton as subjekt në konflikt dhe as subjekt i cenuar drejtpërdrejt prej tij. Për rrjedhojë, çështja nuk mund të shqyrtohet bazuar në nenin 131, pika 1, shkronja “ç” të Kushtetutës.
Lidhur me shkronjën “e” të pikës 1 të nenit 131 të Kushtetutës, në parim kjo dispozitë përcakton kompetencën e Gjykatës për çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmërinë në ushtrimin e funksioneve të funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre, ku përfshihen edhe organi kushtetues i ministrit. Në çështjen konkrete, Gjykata evidenton se pavarësisht terminologjisë së përdorur në dekretet e kundërshtuara, nuk rezulton se kemi të bëjmë me një funksionar konkret kushtetues, zgjedhshmëria, papajtueshmëria ose zgjedhja/emërimi i të cilit mund të përbëjë objekt kontrolli sipas shkronjës “e” të pikës 1 të nenit 131 të Kushtetutës. Për rrjedhojë, Gjykata çmon se ajo nuk mund ta shqyrtojë çështjen as mbi këtë bazë.
Në përfundim, Gjykata me shumicë votash vendosi rrëzimin e kërkesës.

