Gjykata ndalon Trumpin të ndërtojë sallë vallëzimi, presidenti apelon
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se do të apelojë në Gjykatën Supreme kundër një vendimi të fundit të Gjykatës Federale të Apelit në Uashington. Ky vendim i ndalon administratës së tij të vazhdojë me ndërtimin e një salle të madhe vallëzimi brenda Shtëpisë së Bardhë.
Trump e cilësoi vendimin si “politik” dhe “të padrejtë”, duke deklaruar përmes një postimi në platformën e tij sociale, Truth Social, se do të paraqesë menjëherë ankesë në instancën më të lartë gjyqësore. Ai theksoi se ky vendim duhet të rrëzohet plotësisht nga Gjykata Supreme, duke cituar agjencitë ushtarake dhe të inteligjencës që e konsiderojnë atë “të tmerrshëm, të motivuar politikisht dhe të paligjshëm”.
Më herët, Gjykata e Apelit kishte vendosur se administrata Trump po vepronte në mënyrë të paligjshme duke avancuar me projektin e sallës së vallëzimit në rezidencën presidenciale. Vendimi u mor me shumicë votash 2-1 dhe mbështeti qëndrimin e Fondit Kombëtar për Ruajtjen Historike, organizata më e madhe e ruajtjes së trashëgimisë historike në Shtetet e Bashkuara, e cila kishte kundërshtuar ashpër këtë nismë.
Në argumentimin e saj, gjykata theksoi se çdo president amerikan është një “banor i përkohshëm, jo pronar” i Shtëpisë së Bardhë dhe rezidencës presidenciale. Sipas vendimit, i cituar nga CNN, “Presidenti nuk ka dhe as nuk pretendon të ketë autoritet të caktuar kushtetues mbi këtë pronë, e cila është projektuar dhe mirëmbajtur për përdorimin e të gjithë presidentëve, të kaluar dhe të ardhshëm, si dhe për popullin amerikan.”
Fondi Kombëtar për Ruajtjen Historike paraqiti prova se Kongresi nuk i ka dhënë degës ekzekutive autoritet të pakufizuar për të “riprojektuar, rimodeluar dhe rindërtuar në mënyrë drastike Shtëpinë e Bardhë – Shtëpinë e Popullit – për t’iu përshtatur dëshirave të një presidenti të caktuar”. Vendimi i gjykatës nuk hyn menjëherë në fuqi, pasi Gjykata e Apelit e pezulloi zbatimin e tij për dy javë, duke i dhënë administratës Trump kohë për të paraqitur apel në Gjykatën Supreme të SHBA-së.
KOHA JONË SONDAZH

