Gjyqi ndaj Haxhiut/ Dëshmon Noizy: Cllevio i fiksuar pas meje, një ditë pas sherrit më vendosën tritol te biznesi

Reper i njohur Rigels Rajku, i njohur si “Noizy”, ka dëshmuar sot në Gjykatën e Posaçme në procesin gjyqësor ndaj grupit të Laert Haxhiut, duke zbardhur zanafillën e konfliktit me Kleviol Ahmetin (“Cllevio”).

Rajku deklaroi se shpërthimi me tritol në lokalin dhe biznesin e tij në Durrës erdhi pas një përplasjeje fizike që kishte ndodhur vetëm një ditë më parë, kur Ahmeti kishte shkuar i shoqëruar nga 20 persona për ta kërcënuar.

Sipas dëshmisë, Ahmeti është një “fans i fiksuar” që kërkon vëmendje me çdo kusht përmes rrjeteve sociale, ndërsa shtoi se pas tritolit, ai ka paguar persona nga Vlora për t’i djegur edhe një automjet.

Swiss Digital Desktop Reklama

Lidhur me kreun e grupit kriminal, Laert Haxhiun, Noizy sqaroi se nuk ka pasur njohje dhe emrin e tij e ka dëgjuar vetëm pasi rasti u bë publik.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Kam dijeni për vendosjen e lëndës plasëse në Durrës. Kam qenë në të njëjtin pallat ku u vendos eksplozivi. Në momentin e ngjarjes kisha dritaren hapur dhe isha në gjumë. Dëgjova shpërthimin dhe u zgjova, duke kuptuar se kishte ndodhur diçka e rëndë. Zbrita poshtë dhe mësova se ishte vendosur një sasi eksplozivi.

Ngjarja kishte ndodhur rreth orës 03:00–04:00, ndërsa unë u zgjova rreth orës 09:00. Kur zbrita poshtë, pashë babanë tim aty; motra mund të ketë ardhur gjithashtu, ndërsa nënën e mbaj mend se ishte e pranishme. Tritoli ishte vendosur në katin e parë të pallatit ku banoja. Prindërit e mi jetojnë në të njëjtin pallat, një kat më sipër.

Nga shpërthimi ishin shkatërruar xhamat e lokalit dhe të dyqanit poshtë. Unë kam një biznes veshjesh dhe një lokal, dhe të dyja pronat janë të miat.

Pashë fqinjët dhe një numër të madh efektivësh policie. Ishte e qartë se kishte shpërthyer një sasi e konsiderueshme tritoli. Hyrja e pallatit ishte dëmtuar rëndë, si në katin e parë ashtu edhe në të dytin. Në tokë ishte krijuar një gropë e madhe nga forca e shpërthimit dhe mermeri ishte shkatërruar pothuajse tërësisht.

Kisha një dyshim se kush mund ta kishte kryer këtë veprim. Një natë më parë më kishte ndodhur një problem në një tjetër lokal që kam në Durrës, me një person që, sipas perceptimit tim, ka shfaqur sjellje obsesive ndaj meje. Kur nuk i kushton vëmendje, bëhet agresiv dhe e çon konfliktin deri në shtëpi. Ai më ka sharë dhe kërcënuar vazhdimisht në rrjetet sociale. Personi në fjalë është Kleviol Ahmeti. Ofendimet dhe sulmet verbale ndaj meje kanë vazhduar që nga viti 2019.

Nuk kam pasur asnjëherë njohje personale apo bashkëpunim me Kleviol Ahmetin. Sipas bindjes sime, ai ka qenë i fiksuar pas meje dhe ka kërkuar vazhdimisht vëmendjen time. Ka tentuar të krijojë afrimitet me mua, ndërkohë që unë nuk kam dashur të kem marrëdhënie shoqërore me të. Nuk mund ta përshkruaj nivelin e fiksimit që ka pasur ndaj meje. Ai shfaqet shpesh në TikTok dhe ofendon shumë persona. Mendoj se e ka kuptuar se përmendja e emrit tim i sjell vëmendje dhe për këtë arsye nuk e ka ndalur kurrë këtë sjellje.

Një ditë para shpërthimit ai erdhi në lokalin tim, gjoja për t’u sqaruar, i shoqëruar nga rreth 20 persona. Fjala e parë që tha ishte: “Ku është ai legeni?”. Hyri brenda lokalit, më pas dolëm jashtë dhe ndodhi një konflikt fizik pranë shkallëve të lokalit. Të nesërmen ndodhi shpërthimi me tritol.

E kam takuar edhe më parë. Një herë kishte ardhur me një shok të tij për t’u sqaruar, ndërsa unë ndodhesha me familjarët e mi. Kur dolëm nga lokali, ai filloi sërish të më ofendonte. Ai e quan veten artist dhe ka publikuar disa këngë. Ishte vazhdimisht në transmetim live në TikTok dhe në disa video shfaqte armë. E dija se po vinte, por nuk njihja askënd nga personat që e shoqëronin.

Ata erdhën me rreth pesë automjete. Më pas u largua me makinë, si pasagjer. Prania e tij në pronën time, ofendimet dhe kërcënimet ndaj meje u bënë shkak për nisjen e konfliktit. Kur erdhi, më tha: “Do të të qëroj, o pederast”. Kur ndodhej në pronën time, unë e godita i pari dhe konflikti zgjati vetëm disa sekonda.

Pas kësaj ngjarjeje, më është djegur edhe një automjet. Sipas bindjes sime, ai ka qenë i përfshirë në atë ngjarje. Çështja gjyqësore lidhur me atë rast vazhdon ende dhe nuk e di si ka dalë nga burgu. Kam dëgjuar se ka shkuar në Dubai dhe se ka paguar persona nga Vlora për të më djegur makinën.

Nga ana ime nuk ka pasur konflikt me të, ndërsa nga ana e tij ka pasur vazhdimisht sjellje konfliktuale. Për Laert Haxhiun nuk kam dëgjuar më parë. Emrin e tij e kam dëgjuar rreth tre vite më vonë, kur rasti im u bë publik.

”, dëshmon Noizy.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?