Gjyqtarët dhe prokurorët e SPAK-ut, nën kontroll 24 në 24 orë

Të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që do të emërohen në Prokurorinë e Posaçme, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe gjykatat që do gjykojnë veprat e korrupsionit dhe krimit të organizuar do duhet të sërë kushtesh që synojnë të risin besimin e publikut te këto institucione.

Ndonëse draft-ligji “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” nuk është miratuar ende, ekspertët ndërkombëtarë që asistojnë Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi kanë bërë gati tekstin e vetëdeklarimit që duhet të firmosë çdo person që do të emërohet në këto institucione të rëndësishme.

“MAPO” ka siguruar këtë deklaratë ku prokurorët dhe gjyqtarët duhet të pranojnë me vullnetin e tyre të lirë se janë dakord që për t’u punësuar në këto institucione të pranojnë një sërë kufizimesh të të drejtave të tyre personale dhe të familjarëve të tjerë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kufizime këto që nisin që nga detyrimi që për 10 vitet e ardhshme, kur edhe do ushtrojnë këto detyra të përdorin një numër telefoni celular, një adresë poste elektronike të monitorueshme dhe deri te kontrolli i plotë i llogarive bankare.

Swiss Digital Mobile Reklama

Më konkretisht këta persona duhet të pranojnë të deklarojnë se janë të informuar dhe dakord që për këto dhjetë vite do të marrin një telefon celular, një numër celulari dhe një adresë poste elektronike dhe se do të përdorin vetëm këto mjete komunikimi elektronike.

Gjithashtu ata duhet të pranojnë që edhe nëse për emergjenca të ndryshme do t’ju duhet të përdorin një mjet tjetër komunikimi elektronik, duhet ta raportojnë këtë fakt Oficerit Përgjegjës për Byronë Kombëtare të Hetimit brenda 3 ditësh.

Por kjo është vetëm pjesa e parë e kufizimeve të të drejtave, pasi këta persona që të punojnë në këto institucione do duhet të pranojnë gjithashtu që ky numër telefoni dhe kjo adresë poste elektronike t’i nënshtrohet vëzhgimit nga Byroja Kombëtare e Hetimit, ku përfshihet leximi i emaileve, mesazheve tekst si dhe dëgjimi i bisedave.

Një tjetër kufizim që duhet të pranojnë të deklarojnë paraprakisht këta prokurorë dhe gjyqtarë është edhe ai për kontrollin e llogarive bankare.

Ata duhet të bien dakord për të deklaruar llogaritë e financiare dhe ato të anëtarëve të afërt të familjes, si dhe për të deklaruar çdo llogari të re që mund të krijojnë.

Në rast se i pranon dhe nuk i zbatohen këto kushte, atëherë anëtarët e këtyre institucioneve shprehen dakord që të largohen nga detyra si dhe të ndiqen penalisht në rast se kanë kryer një vepër penale.

“Jam i informuar dhe dakord që nëse nuk i respektoj këto kushte, mund të  përballem me masa disiplinore ndër të cilat mund të jetë ndërprerja e mandatit tim. Jam i informuar gjithashtu se informacioni i përftuar nga ky vëzhgim mund të përdoret në ndjekje penale, nëse ka prova për një vepër penale. Jam i informuar dhe dakord se këto kushte janë të rëndësishme dhe në përpjesëtim të drejtë me nevojën për të kryer hetime, ndjekje dhe gjykime çështjesh të rëndësishme larg korrupsioni”, – thuhet në një nga pikat e këtij vetëdeklarimi.

Por, në këmbim të këtyre kufizimeve ata kërkojnë që të kenë një pagesë shtesë mbi pagën bazë për punën që kryejnë.

Pikat e vetëdeklarimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve

  1. Unë jam i informuar se do të caktohem në detyrë në një post që duhet të ketë besimin e posaçëm të publikut, për një mandat 10-vjeçar.
  1. Unë jam informuar dhe jam dakord që për këto dhjetë vite do të marr një telefon celular, një numër celulari dhe një adresë poste elektronike. Jam dakord të përdor vetëm këto mjete komunikimi elektronik. Nëse gjatë një emergjence do të më duhet të përdor një mjet tjetër komunikimi elektronik, do t’ia raportoj këtë fakt Oficerit Përgjegjës për Byronë Kombëtare të Hetimit brenda 3 ditësh. Jam i informuar dhe dakord që ky numër telefoni dhe kjo adresë poste elektronike t’i nënshtrohet vëzhgimit nga Byroja Kombëtare e Hetimit, ku përfshihet leximi i emaileve, mesazheve tekst si dhe dëgjimi i bisedave.
  1. Jam i informuar dhe dakord për të deklaruar llogaritë e mia financiare dhe ato të anëtarëve të afërt të familjes sime, si dhe për të deklaruar çdo llogari të re që mund të krijojmë. Jam i informuar dhe dakord që këto llogari do të vëzhgohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
  1. Jam i informuar dhe dakord që nëse nuk i respektoj këto kushte, mund të përballem me masa disiplinore ndër të cilat mund të jetë ndërprerja e mandatit tim. Jam i informuar gjithashtu se informacioni i përftuar nga ky vëzhgim mund të përdoret në ndjekje penale, nëse ka prova për një vepër penale. Jam i informuar dhe dakord se këto kushte janë të rëndësishme dhe në përpjesëtim të drejtë me nevojën për të kryer hetime, ndjekje dhe gjykime çështjesh të rëndësishme larg korrupsionit.
  1. Gjithashtu jam dakord që, në këmbim të këtyre kushteve, të kompensohem me një pagesë shtesë.

Njerëzit e SPAK duhet të plotësojnë 5 pyetësorë dhe deklarata sigurie

Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” që gjendet për diskutim në parlament në nenin 8 të tij përcakton kushtet e sigurisë para caktimit në detyrë apo emërimit të kandidatëve për gjyqtarë në gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme, dhe për drejtorë e hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme të sigurisë, përpara se të caktohen ose punësohen në këto pozicione. Sipas këtij neni, asnjë kandidat nuk mund të caktohet në detyrë ose të punësohet pa plotësuar këto kushte.

Të njëjtat kushte duhet të plotësohen edhe nga çdo punonjës tjetër i Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit të cilët kryejnë funksione hetimore ose funksionet e të cilëve mbështesin drejtpërsëdrejti hetimin.

Për këtë qëllim kandidatët plotësojnë dhe dorëzojnë deklaratat për pasurinë dhe konfliktet e interesave tek Inspektoriati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive dhe Konfliktin e Interesave, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Brenda katër muajve, Kryeinspektori kontrollon deklaratat dhe i paraqet një raport dhe një opinion autoritetit që i cakton në detyrë apo merr në punë, lidhur me faktin nëse deklaratat janë të plota dhe nëse kandidati ka pasuri që janë të padeklaruara apo të pajustifikuara nga të ardhurat e ligjshme.

Nëse, gjatë 6 muajve para se të paraqiste kërkesën, kandidati ka kaluar një kontroll që nuk ka rezultuar në disfavor të tij, atëherë ky kriter do të konsiderohet si i përmbushur.

Gjithashtu kandidatët plotësojnë dhe dorëzojnë në Autoritetin e Sigurisë Kombëtare një pyetësor sigurie, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Brenda 90 ditëve, drejtori i Autoritetit të Sigurisë Kombëtare i paraqet një raport autoritetit që i cakton në detyrë apo merr në punë, lidhur me faktin nëse pyetësori ishte plotësuar në mënyrë të saktë si dhe i tregon çdo shqetësim që mund të burojë nga hetimi i verifikimit të figurës.

Kandidatët plotësojnë gjithashtu edhe një deklaratë me shkrim, të nënshkruar nga kandidati dhe anëtarët e afërt të familjes, sipas së cilës, nëse caktohen në detyrë apo merren në punë, telekomunikimet e kandidatit do të jenë objekt vëzhgimi dhe heqin dorë nga e drejta e jetës private lidhur me këto komunikime.

Ndërkohë që në bazë të ligjeve të mëparshme këta zyrtarë duhet të plotësojnë edhe formularët e ligjit të dekriminalizimit dhe atë të lustracionit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?