Gjyqtarja e lartë, Majlinda Andrea: Tom Doshi duhet të qëndronte në burg

 

Një prej anëtarëve të trupit gjykues të Gjykatës së Lartë votoi kundër ndryshimit të masës së sigurisë për Tom Doshin. Majlinda Andrea ka kërkuar që deputeti Doshi duhet të qëndronte në burg. Në argumentimin e saj, që u zbardh vetëm një ditë më parë, ajo shpjegon se ekziston rreziku i largimit të Doshit, se ai mund të vërë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës dhe ka rrezik, për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të tij, të kryejë krime më të rënda apo të të njëjtit lloj me ato për të cilat procedohet. Ajo jep një sërë argumentash në mendimin e zhardhur nga gazeta shqiptare.

Mendimi i pakicës

“Për vendimin nr.15, datë 28.03.2015, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë: unë gjykatësja Majlinda Andrea, nuk jam dakord pjesërisht me vendimin e marrë nga shumica, e cila ka caktuar si masë sigurimi shtrënguese ndaj të dyshuarit Tom Doshi, atë të ‘arrestit në shtëpi’, duke pranuar se: nisur nga natyra dhe lloji i veprave penale për të cilat po procedohet shtetasi Tom Doshi, nisur dhe nga pozita e tij si funksionar i lartë shtetëror, caktimi i masës së sigurimit vlerësohet e nevojshme, për shkak të vënies në rrezik të fakteve, objekt procedimi penal.

Jam kundër argumenteve të shumicës, në lidhje me arsyet e caktimit të një mase sigurimi të ndryshme nga ajo e kërkuar nga organi procedues, pasi së pari, me të drejtë është arsyetuar se: ‘Në lidhje me vleftësimin e ndalimit të shtetasit Tom Doshi, ky Kolegj mori në analizë veprimet e kryera nga organi i prokurorisë për kufizimin e lirisë së shtetasit, duke iu referuar nenit 5 të KEDNJ, nenit 27 të Kushtetutës dhe neneve 5 dhe 523 të K.Pr.Penale.’

Për sa u përket kushteve të parashikuara në ligj për ndalimin e shtetasit Tom Doshi, në gjendjen që janë aktet, vlerësohet se prokuroria e procedon shtetasin Tom Doshi për tri vepra penale, prej të cilave, ‘kallëzim i rremë’ ka sanksion dënimi me gjobë ose me burgim 5 vjet, dhe për “kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, parashikohet dënim nga 1 deri në 4 vjet. Meqenëse shtetasi Tom Doshi dyshohet për kryerjen e veprave penale, për të cilat Kolegji Penal ka caktuar dënimin me burgim jo më të ulët se 2 vjet, është plotësuar një nga kushtet për të proceduar me ndalimin e tij.

Ky Kolegj çmon se, arsyet e ndalimit (mbi të cilat ekziston mundësia për t’u larguar) të shtetasit Tom Doshi qëndrojnë. Qenia e tij zyrtar i lartë shtetëror dhe mundësitë e tij ekonomike krijojnë dyshime të bazuara se ai mund t’i shmanget hetimit, duke u larguar…

Duke arsyetuar sa më sipër, Kolegji Penal ka pranuar se ekziston rreziku i largimit të të dyshuarit duke iu shmangur procedimit penal, duke mbajtur parasysh pozicionin dhe funksionin e tij të lartë zyrtar dhe mundësitë e tij ekonomike, kusht i cili është edhe një nga kushtet për vendosjen e masave të sigurimit.

Kolegji Penal, duke pranuar kërkesën e organit të akuzës për caktimin e një mase sigurie për të dyshuarin Tom Doshi, ka pranuar ekzistencën e kushteve për caktimin e masave të sigurimit personal, por duke arsyetuar se, nisur nga rrezikshmëria e veprave penale për të cilat dyshohet se ka kryer i dyshuari Doshi, lloji dhe masa e dënimit që parashikojnë dispozitat, ka çmuar se duhet caktuar një masë më e butë se ajo e “arrestit në burg”, përfundim për të cilin nuk jam dakord.

 

Duke pranuar me të drejtë dhe bazuar në provat e hetimit paraprak ekzistencën e kushteve për caktimin e masave të sigurimit për të dyshuarin, është pranuar se dyshimi mbi të dyshuarin Tom Doshi është i bazuar në prova, ekziston rreziku i largimit të tij, ka rrezik të vërë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës dhe ka rrezik – për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të tij – të kryejë krime më të rënda apo të të njëjtit lloj me ato për të cilat procedohet. Këto kushte bëhen akoma më sinjifikative, kur bëhet fjalë për një person që ushtron funksionon e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë.

Qenia e të dyshuarit në pozitat e ligjvënësit, të një personi i cili është votuar për të kryer funksionin e një prej pushteteve të një shteti demokrat, siç është ai ligjvënës, presupozon se është një person intelektual, me virtyte të larta, me një nivel të lartë kulturor e profesional, të cilit i është besuar miratimi i ligjeve që rregullojnë veprimtarinë e një shteti, e aq më shumë nxjerrja e ligjit themelor të një shteti siç Kushtetuta e shtetit. Një person i tillë nuk mund të mendohet se mund të përfshihet në veprime të tilla, që mund të vënë në rrezik gjithë veprimtarinë e një institucioni aq të lartë siç është parlamenti.

Ekzistenca e provave të paraqitura nga organi i akuzës, për të provuar dyshimet për kryerjen e tri veprave penale si ato për të cilat dyshohet shtetasi Tom Doshi, deputet i Kuvendit, e bëjnë të domosdoshme caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg” për të dyshuarin, i cili dyshohet se ka kryer veprime në kundërshtim të plotë me atë çka duhet të përfaqësojë një deputet, duke pasur parasysh edhe pasojat e rënda që mund të sillnin veprimet e tij.

Akuzat për të cilat dyshohet se ka kryer i dyshuari, duke pasur parasysh cilësitë e tij dhe rolin që mund të ketë pasur në veprat për të cilat dyshohet, më çojnë në përfundimin ligjor, se e vetmja masë sigurimi për të dyshuarin Tom Doshi është ajo e ‘arrestit me burg'”.

SHKARKO APP