Goditen 3 Call Center në Tiranë, 10 persona në pranga. Zhvatën 50 mln euro nga europianët
Një operacion i gjerë i zhvilluar nga Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim me autoritetet gjermane dhe austriake, ka çuar në goditjen e tre call center-ave në kryeqytet, të dyshuar për mashtrime masive ndaj qytetarëve evropianë. Sipas hetimeve dyvjeçare, këto struktura dyshohet se kanë përfituar deri në 50 milionë euro nga mijëra viktima jashtë vendit. Në kuadër të këtij aksioni, autoritetet kanë lëshuar 9 masa sigurie, nga të cilat janë ekzekutuar 5 arrestime me burg dhe 1 masë “detyrim paraqitjeje”. Po ashtu, 5 persona të tjerë janë arrestuar në flagrancë.
Në total, 10 persona kanë përfunduar në pranga, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim. Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar rreth 900 mijë euro cash, ndërsa në ambientet e call center-ave janë konstatuar rreth 80 operatorë në punë. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Efektivët e Policisë së Tiranës ruajtën godinën teksa agjentë të Krimit Kibernetik, prokurorisë së Tiranës dhe partnerë ndërkombëtarë, bastisën zyrat. Nga aty, dolën me çantat plotë me prova. Brenda zyrave u gjetën 80 operatorë telefonikë, që u shoqëruan për t’u marrë në pyetje. Atyre iu sekuestruan edhe celularët. Njëkohësisht, të tjerë efektivë ishin në 2 call center të zbuluar pranë Kopshtit Zoologjik. 7 urdhër arreste u lëshuan në total me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, nga të cilat u ekzekutuan 5.
Për 2 persona të tjerë u vendos masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit. Ata janë administratorë të call center-ave mashtrues, punonjës IT, që merren me ngritjen dhe menaxhimin e sistemeve që zhvasin të huajt, të tjerë mirëmbajtës interneti dhe financierë. Ndaj të nëntëve, rëndon vepra penale e mashtrimit kompjuterik. Aksioni është ende në vijim dhe se deri më tani numri i të arrestuarve i kalon 10. Dy prej tyre Tedi Agastra dhe Mateo Hoxha 24 vjeç dyshohet se konvertonin shumat e përfituara përmes mashtrimit nga qytetarët evropianë, në portofole kriptomonedhash, për të fshehur gjurmët e parave.
23-vjeçari Tedi Agastra nga organi i akuzës rezulton i dyshuar për veprën penale “ushtrim pa licencë i veprimtarisë financiare”. Mes të arrestuarve, njëri Xhoni Hitaj, 31 vjeç, rezulton i arrestuar më parë për vrasje me dashje e mbetur në tentativë. Gjatë kontrolleve në 3 call center, agjentët sekuestruan mbi 900 mijë euro cash, si dhe një sasi të konsiderueshme pajisjesh, përfshirë kompjuterë, USB, servera dhe kamera sigurie
Hetimet zgjatën 2 vite me radhë, kohë gjatë se cilës u mblodhën prova e dëshmi nga qytetarë evropianë të mashtruar, dhe u bashkëpunua me autoritetet gjermane dhe austriake. Deri në 50 milionë euro mendohet të kenë humbur me mijëra të huaj në këto skema mashtrimi të përhapura masivisht në Tiranë. Aktualisht nën hetim po mbahen dhe disa baza të tjera të dyshuara se shërbejnë si call center mashtrimi në kryeqytet. /Report Tv/
Arrest me burg
Eduart Dalla (masa e sigurisë e ekzekutuar)
Mateo Hoxha (masa e sigurisë e ekzekutuar)
Tedi Agastra (masa e sigurisë e ekzekutuar)
Ledio Toçi (masa e sigurisë e ekzekutuar)
Xhoel Mekolli (masa e sigurisë e ekzekutuar)
Marsel Lami (në kërkim)
Xhoni Hitaj (në kërkim)
Ndalim dalje jashtë vendi
Aida Vokli (masa e sigurisë e ekzekutuar)
Ledjon Cenaj (masa e sigurisë e paekzekutuar)
KOHA JONË SONDAZH

