Goditet një kompani e Tom Doshit. Akuzohet për falsifikim të datave të produkteve

 

Një prej kompanive ku rezulton aksioner deputeti Tom Doshi është goditur nga policia. “Infood” akuzohet se kryente falsifikimin e datave të produkteve ushqimore. Aksioni kundër saj u krye nga Policia e Tiranës dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Sipas AKU, firma “Infood”, një shtëpi të marrë me qera në Bathore,  e kishte shndërruar në magazinë të produkteve të skaduara. Sipas kësaj agjencie, në këtë magazinë produkteve u ndërrohej etiketa dhe më pas shpërndaheshin në pikat e tregtimit. Fabrika e kompanisë “Infood”, që ndodhet në autostradën Tiranë – Durrës, merret me transportin dhe tregtimin e produkteve ushqimore. Sipas dokumentave që gjenden në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, Tom Doshi është një prej aksionerëve të saj. Nga kompania nuk ka patur ende asnjë reagim. Kontrolli në këtë firmë vjen pak ditë pasi deputeti Doshi u përjashtua nga Partia Socialiste dhe pasi ai akuzoi kryetarin e kuvendit, Ilir Metën, se kishte paguar për ta vrarë atë dhe deputetin e PD –së, Mhill Fufin, shkruan lapsi.

SHKARKO APP