Goditet rrjeti i prostitucionit, shqiptari blinte ukrainase
Një ukrainase u largua nga vendi i saj për në Greqi me shpresën se do të bënte një jetë më të mirë.
Dy ndërmjetës grekë iu ofruan për t’i siguruar një leje qëndrimi. 24 vjeçarja arriti në shtetin helen korrikun e kaluar, pa e ditur se çfarë do ta priste më pas.
Në aeroportin e Spata-s u prit nga dy gra ukrainase, të cilat e çuan në një apartament në Athinë.
Në fakt, një shtetas grek dhe dy gratë ishin “truri” i një bande që merrej me shfrytëzimin e prostitucionit.
Ata e detyruan të renë me forcë që të prostituonte në shtëpitë publike të jashtëligjshme të Athinës. Edhe paratë i merrnin ata me pretendimin se kishin bërë shumë shpenzime për ta sjellë në Greqi.
Të paktën 11 vajza nga Evropa Lindore ishin viktima të tilla që mbaheshin në 6 apartamente të ndryshme në kryeqytetin grek. Të premten e kaluar, 24 vjeçarja arriti t’i shpëtonte tutorëve duke i denoncuar në polici.
Pjesë e bandës ishte edhe një 31 vjeçar shqiptar, i cili iu shmang arrestimit por që është shpallur në kërkim.
Nëse nuk plotësonin kushtet e kërkuara, vajzat bliheshin nga shqiptari kundrejt shumës prej 3 mijë euro. Policia gjeti rreth 6 300 euro si dhe dokumente të ndryshme udhëtimi.
KOHA JONË SONDAZH

