Goditi makinën e Policisë dhe ofendoi efektivët, arrestohet “piloti i rrugës”

Arrestohet Fatos Çuni, personi që goditi dje gjatë një vendngjarje makinën e policisë dhe ofendoi e shau policët. Në gjendje të dehur dhe me shpejtësi të madhe, një drejtues mjeti goditi mbrëmjen e djeshme automjetin e Policisë Rrugore, me targa MB 326.

Ngjarja ndodhi në aksin rrugor nacional Berat-Urë Vajgurore, në afërsi të një karburanti, ku automjeti i policisë ishte parkuar me “bllokaxh” ndezur, pasi po kryente veprimet e para hetimore të aksidentit të djeshëm, që i mori jetën endacakut.

Drejtuesi i mjetit, me targa AA 541 SY, ka goditur makinën e policisë, duke i shkaktuar dëme materiale, dhe më pas ka dalë në rrugë dhe ka ofenduar e sharë të gjithë efektivët që ndodheshin në vendngjarje.

Pas kësaj, ai është larguar nga vendngjarja, por ka përfunduar në prangat e policisë. Fatos Çuni, pas arrestimit, ju nënshtrua testit të alkoolit, nga ku rezultoi se ishte në gjendje të dehur. Ai rezultoi me alkool në masën 0.74 mg/liter. Materialet në ngarkim të tij i kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat.

/BalkanWeb

SHKARKO APP