Goxhaj: Ndëshkim kush ndez zjarre qëllimisht, kujdes me bombolat e gazit
Me rritjen e temperaturave dhe në këtë stinë verore, rritet zjarrëvënie e qëllimshme në zonat e pyllëzuara. Por nga ana tjetër, rrezik janë edhe bombolat e gazit.
Drejtori i shërbimit zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj këshillon qytetarët që të kenë kujdes në përdorimin e bombolave të gazit, kryesisht në zonat turistike, aty ku përdoren edhe depozitat me gaz që mund të kthehen në një kërcënim serioz për jetën e qytetarëve.
“Bombolat ngjyrë portokalli, 5-litërshe, nuk duhet t’i rimbushin, janë njëpërdorimshme. Në këtë periudhë në kampingje përdoren depozita gazi. Duhet të bëjnë kujdes sepse një sasi e madhe gazi shkakton shpërthim të fuqishëm që sjell pasoja fatale për qytetarët. Duhet të jenë shumë të kujdesshëm në përdorimin e tyre, t’i mbajnë jashtë objekteve. Shpërthimi ndodh kur ka rrjedhje gazi. Dhe nëse qytetarët dëgjojnë sinjalizuesin që ka rrjedhje, duhet të bëhet menjëherë evakuimi”, tha Goxhaj.
Po ashtu ai paralajmëroi zjarrvënësit e qëllimshëm. “Ata që do të mundohen të bëjnë asgjësimin e mbeturinave me zjarr, do t’i vëmë para përgjegjësisë ligjore”.