Grabisin me armë tregëtarët e bagëtive, policia i vë në pranga brenda pak orësh

Policia e Gjirokastrës arrestoi brenda pak orësh 3 autorët e grabitjes me armë të tregëtarëve të bagëtive dhe shpalli në kërkim dy të tjerë.

Të arrestuarit janë Arbër Petani, 23 vjeç, banues në fshat Memaliaj, Geraldo Qeriza, 28 vjeç, banues në fshatin Veliqot dhe Behar Islami, 31 vjeç, banues në fshatin Dukaj të Tepelenës.

Në kërkim janë shpallur A.R, 32 vjeç nga Delvina dhe L.S, 27 vjeç, banues në Memaliaj.

Autorët e grabitjes në bashkëpunim me njëri –tjetrin, dy ditë më parë rreth orës 24:00 në vendin e quajtur Fushë-Dukaj, në Tepelenë, në rrugën që lidh fshatin Dukaj me Memaliajn, u kanë vjedhur me armë 15 mijë euro dhe një mjet, disa tregëtarëve nga Korça, që blinin bagëti në zonë.

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale një gëzhojë të kalibrit 7.62 mm me kapsollë të plasur, 5 aparate celularë, 6 karta sim si dhe 2 automjete.

SHKARKO APP