Grabitet me armë e maska fabrika e sheqerit në Vorë, si e lidhën rojen dhe morën paratë
Një grabitje me armë e maska ka ndodhur gjatë natës që lamë pas në një fabrikë sheqeri në rrugën Vorë-Tiranë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:20 në një rrugë dytësore, nga persona ende të paidentifikuar. Nga mënyra sesi kanë vepruar grabitësit, duket se gjithçka ka qenë e paramenduar, duke përgatitur një skenar si në filma.
Të maskuar dhe të armatosur, tre grabitësit kanë hyrë nga muri i pasëm i fabrikës, dhe më pas kanë kapur rojen e objektit dhe e kanë lidhur.
Pasi i kanë marrë celularët, dhe janë siguruar në mënyrë që të mos njoftohej policia, ata janë vënë në kërkim të kasafortës.
Sapo e kanë gjetur, grabitësi e kanë hapur atë me forcë, duke marrë shumën e parave që ndodheshin aty, 140 000 lekë.
Në mëngjes është konstatuar grabitja e fabrikës nga punonjësit, të cilët kanë njoftuar policinë.
Sakaq, kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të grabitjes.

