Rama thumbon nga Brukseli: Dua e do protestën, unë dua Duan. Ajo është këngëtare, jo Papa
Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat që vijojnë prej 122 ditësh, duke u ndalur edhe te qëndrimi i këngëtares shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, e cila ka shprehur mbështetje për protestuesit në lidhje me projektet në Sazan dhe Zvërnec. “Dua e do protestën, unë dua Duan”, tha Rama, duke e vendosur debatin përballë asaj që e cilësoi si një përplasje të panevojshme mes zhvillimit dhe konservimit të mjedisit.
Sipas kryeministrit, këto dy qasje nuk përjashtojnë domosdoshmërisht njëra-tjetrën. “Është ideologji kur thua ose zhvillimi ose konservimi. Duas i pëlqen protesta, unë e dua shumë Duan. Ajo është këngëtare, nuk është Papa”, u shpreh Rama, duke shtuar se edhe pse e vlerëson figurën e Papës, nuk është dakord me çdo qëndrim të tij.
Rama foli edhe për mënyrën se si qeveria po përballet me protestat, duke kujtuar kohën kur, sipas tij, protestat në bulevard shoqëroheshin me rrezik më të madh për jetën.
“10 vjet më parë kishte më shumë gjasë që protestuesit të vriteshin në bulevard ku dalin çdo natë”, tha ai, duke iu referuar edhe humbjes së jetëve gjatë protestave ku kishte qenë vetë i angazhuar. Kryeministri theksoi se e njeh nga afër rolin e protestuesit dhe se nuk e sheh automatikisht qeverinë si palën që ka të drejtë në çdo përplasje. “Unë vij vetë nga pala e protestuesve, kam rrezikuar jetën realisht për fjalën e lirë”, deklaroi Rama.

