Grabitja në Rinas, Apeli rrëzon vendimin e shkallës së parë
Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka vendosur të rrëzojë vendimin e Shkallës së Parë dhe të rrëzojë kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për 5 të arrestuarit për grabitjen që ndodhi më 30 qershor në Rinas.
Kujtojmë se Gjykata e Shkallës së parë për Krime të Rënda verifikoi masat dhe 4 nga të arrestuarit i la në burg dhe la në arrest shtëpie drejtorin teknik të aeroportit Vangjel Nikolla. Por tashmë me këtë vendim të Apelit nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë me të arrestuarit.
“News 24” kontaktoi me avokatin Vladimir Meçi, i cili tha që të arrestuarit tashmë janë pa masë sigurie dhe duhet të lirohen për faktin se gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e Shkallës së Parë dhe kërkesën e Prokurorisë që i mbante ata në burg.
Avokati tha gjithashtu se sipas nenit 28 të Kushtetutës do të bëjë një kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda që të arrestuarit t’i çlirojë nga masa, pasi ndaj tyre nuk ka asnjë vendim mase.
Përsa i përket masës që vendosi gjykata e Krujës, avokati Vladimir Meçi u shpreh se ajo masë nuk vlen pasi çështja ka kaluar për kompetencë tek Krimet e Rënda dhe se nuk ekziston më vendimi i arrestit të gjykatës së Krujës pasi e ka humbur fuqinë për kompetencë.
Madje, sipas avokatit, Gjykata e Apelit të Tiranës ka vendosur mospranimin e ankimit ndaj masës së sigurisë të caktuar me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë. Për sa i përket kompetencës ose jo të çështjes, sipas ligjit në fazen e hetimeve paraprake konliktin e kompetencës e zgjidh Prokuroria e Përgjithshme dhe në ato raste kur gjykata çmon se nuk është vetë kompetente konklitin e zgjidh Gjykata e Lartë, ndërsa nëse Gjykata e Apelit do të ngrinte problemin e moskompetencës shqyrtimi i kërkesës duhet të pezulluar dhe t’ia delegojë zgjidhjen e çështjes Gjykatës së Lartë.
KOHA JONË SONDAZH

