Grabitja në Tepelenë, maskat morën 5 mijë euro, shpallen në kërkim

Identifikohen dhe shpallen në kërkim tre autorët e grabitjes së çiftit të moshuarve në Tepelenë. Ata janë:

S. J., 30 vjeç, banues në Durrës.
A. J., 37 vjeç, banues në Durrës.
R. R., 31 vjeç, banues në Tiranë.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri -tjetrin dyshohet se duke përdorur armët dhe dhunë fizike kanë arritur të vjedhin 5.000 euro çiftit Çiça dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur, ku në afërsi të banesës kanë braktisur automjetin pasi kanë parë patrullën që po vinte për në vendngjarje dhe janë larguar me vrap duke përfituar nga errësira.

Ngjarja

Sipas policisë “me datë 31.03.2015 rreth orës 00:40 është njoftuar salla operative e Komisariatit të Policisë Tepelenë se në lagjen “Demokracia” të qytetit të Tepelenës, në banesën e shtetasit Naim Çiça, 61 vjeç, banues në Tepelenë, tre persona të maskuar dhe të armatosur nën kërcënimin dhe përdorimin e armëve të zjarrit, kanë vjedhur një shumë prej 5.000 euro dhe më pas janë larguar duke përfituar nga errësira dhe kanë braktisur disa metra largë banesës automjetin e tyre të markës Audi A3, me targa CD 368 PT”.

Menjëherë policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka ngritur grupin hetimor, i cili çoi dhe në zbardhjen e ngjarjes.

I dëmtuari dhe bashkëshortja e tij shtetasja A.Ç, 60 vjeç, banuese në Tepelenë, ndodhen në spitalin e Gjirokastrës me dëmtime trupore, jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka sekuestruar mjetin e grabitësve dhe armatim

Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi automjetin e markës “Audi’ me targa CD 368 PT, një automatik model 56 me qytë të prerë, dy krehëra me 30 fishekë të kalibrit 7.62mm, një krehër pistoletë me 10 fishekë të kalibrit 9 mm, një gëzhojë e plasur e kalibrit 7.65mm, një telefon celular, dy karta sim, dokumenta identifikimi si dhe sende të tjera personale të autorëve, sende të gjetura brenda në automjet.

Ndërkaq materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjirokastër për veprën penale të “Vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim”.

SHKARKO APP