Grafomania e rrjeteve sociale

“Ka gra që në përvjetorët e martesës u postojnë burrave të tyre në FB dedikime dashurie, si më thënë nga njëra dhomë e shtëpisë në tjetrën(!) Se kujt i hyjnë në punë videot kinse moderne të çifteve, ditën e dasmës, duke u puthur kalave e livadheve, vetëm ata që i shpërndajnë mund ta dinë. Nuk ka mbetur asgjë intimitet në sirtar, apo brenda perdeve të dhomës së gjumit”…

Ndue Dedaj

Shumë vite më parë më bënte përshtypje një adoleshent që përmendte emrin e tij orë e çast, si të fliste për një kreshnik malesh. Siç thotë populli, kishte fillue me ia ba me sy vetes. Por nuk ishte e rastit, ashtu kishte ndodhur dhe me babain e gjyshin e tij. Me të gjithë njerëzit e fisit të tij/tonë arbëror. Nga klasa e parë e fillores deri lart në qeveri e parlament njerëzit ku mburreshin pa iu skuqur fytyra. A nuk i themi ne fëmijës sonë “ti do të jesh më i miri i klasës” dhe kështu, më ketë vetëdije, se duhet të jetë i pari, ai nis udhën e jetës. Le pastaj servilizmi ynë tipik ndaj politikanëve, shtetarëve, atyre ndaj të cilëve kemi interesa vetjake, duke i mbuluar me ditirambe nga mëngjesi në mesnatë. Ndërsa kur nuk janë më në karrige, as nuk iu hedhim sytë. Modeli verbal dhe shkrimor që i servirim rinisë është i qortueshëm. Mbizotëron grafomania e fisit, klanit politik, vetvetes. Sipas kujtimeve të Nexhmijes të gjithë kanë gabuar, vetëm Enveri jo, ai ishte përherë i drejti, kurse të tjerët armiqtë. Edhe të tjerë kujtimeleçitës të viteve të parë të pluralizmit politik të njëjtën gjë bëjnë, nxjerrin në pah meritat e vetes dhe gabimet e të tjerëve. Një sindromë shqiptare, ku të gjithë ata që dëshmojnë historinë e katundit, provincës, apo të Byrosë Politike, kanë në fokus veten dhe të vetët. Ashtu si motmotit, kur institucioni fisnik i “shtëpisë së parë” kishte dhe kultin e vet, “ne kemi qenë të parët në bajrak, bënim kullat më të mëdha, dasmat më të bujshme” etj. Nuk kemi shkuar larg në këtë anë, madje mund të thuhet se jemi prapë aty. Edhe sot konkurrohet me vila nëpër kodrat e fshatit e gjer me pallate në qytete, se kush është më i “fortë” nga djemtë e lagjes, që ka vënë më shumë para në emigracion etj., vila që në shumicën e rasteve pastaj mbetën bosh, po ç’rëndësi ka për psikologjinë e tyre, ata e bënë të veten, e “mundën” atë tjetrin, kushëririn, fqinjin me “kullën” e tyre më të lartë se e shokëve. Kjo mendësi është shtrirë deri në varrezat publike, ku duhet të dallojnë varret e faraonëve nga ato të plebenjve (!)

Swiss Digital Desktop Reklama

Psikologjia e unit do të shpalosej dhe në rrjetet sociale, duke e deformuar jo pak funksionin për të cilin ato janë krijuar. Kanë qenë impresionuese mendimet e shkëmbyera mes sportdashësve për ndeshjet, sportistët, fitoret, humbjet, përmes rrjetit social në ditët e Kampionatit Europian të Futbollit. Por janë thuajse gjithnjë pa shije postimet përmes Facebook-ut të politikanëve. Një zakon i keq që zor se do të ndalet më. Ti, burri i shtetit, je diku në kafene, në orët e vona të paditës, apo duke dalë nga ndonjë kazino, kur askund në botë nuk ka më orar zyrtar, sheh një gjë, apo dëgjon një tjetër dhe aty për aty poston nja tre rreshta në profilin tënd!… Sepse ti e ke për “detyrë” të shfaqesh dhe në mesnatë në publik, duke dëmtuar seriozitetin e shtetit. Ou, – do na kthehen zëdhënësit inatçorë – si nuk e kuptoni, po kjo është kohë tjetër, tani politikanët tanë janë modernë, ata mund të dalin në ekran kudo dhe kurdo. Edhe nga avioni ata qeverisin, me Facebook, me Twitter, me telefon. (Stalini a nuk e pati shkarkuar Zhukovin në ajër?) E si mundet që një politikan të mos jetë non stop 24 orë në vëmendjen e publikut? Ulur galuc në trutë e tyre, duke bërë vend më shumë se vetë Mesia. Është trashëguar kjo kulturë “kapadaiste” e unit, vetës së parë, nga koha e sundimit otoman dhe nuk u mpak as gjatë regjimit monist gjysmëshekullor, pasi njeriu i ri, duke qenë i mangët dhe mungestar në të gjitha drejtimet, nuk mund të çante përpara pa vetëmburrjen. Aq e pështirë u bë kjo asokohe sa arti i humorit nuk mund ta rrinte pa e fshikulluar, në një nga skeçet me të famshme të kohës, “A doni më për Belulin”, që pati jehonë më shumë se një komedi me katër akte. Por s’themi dot të shkuara të harruara, se mburrja, mendjemadhësia, megallomania nuk njohin cak dhe etikë as sot, kur mburren të gjithë, kryekrejet politikanët në fushatat elektorale. Dikur ka qenë “Me ndejt shtrembët e me fol drejt”, tash është futur në përdorim “fjala e mirë” sa për sy e faqe, që teknologjia e informacionit pa e ngre në qiellin e shtatë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Rrjetet sociale janë një tollovi e pasosur superlativash, ku askush nuk mbeti pa u bërë i “madh” nga miqtë e shokët e tij, si të thuash pa u spërkatur me lëng trëndafili. Kjo se ato janë një hapësirë publikimi e pamonitoruar nga asnjë organizëm i kualifikuar. Njerëzit besojnë se në “librin” e tyre popullor të miqve mund të bëjnë histori, letërsi, gazetari, politikë, debat, kurse në pjesën më të madhe rrjetet sociale janë një grafomani më vete. Çfarë mund të jetë tjetër, veçse shprehje e boshit që përmes Facebook-ut njeriu të njoftojë çdo tridhjetë minuta vendndodhjen e tij pas zgjimit nga gjumi, duke na bërë me dije se me kë e piu kafen, ku e hëngri picën, jo më pak se 10 selfie paradite e pasdite, në të gjitha pozicionet ditore. Kjo është moda, ky është trendi. Pemë pa kokrra, do të thoshte gjyshja ime. Është e habitshme kjo mani për të hedhur në profilin e tyre në FB çdo vogëlimë, nën siglën “Po ndodh tani”, me dëshirën e marrë për të qenë online gjithë kohën dhe për të ndarë më publikun çdo grimcë vetjake.

Ka gra që në përvjetorët e martesës u postojnë burrave të tyre në FB dedikime dashurie, si më thënë nga njëra dhomë e shtëpisë në tjetrën(!) Se kujt i hyjnë në punë videot kinse moderne të çifteve, ditën e dasmës, duke u puthur kalave e livadheve, vetëm ata që i shpërndajnë mund ta dinë. Nuk ka mbetur asgjë intimitet në sirtar, apo brenda perdeve të dhomës së gjumit. Thënë shqip, jo çdo gjë njerëzore, familjare nxirret në “pazar”, kur artistët e mëdhenj janë mjaft të kursyer me publikun në privatësinë e tyre. Po ku është e keqja, mund të thotë ndokush, më mirë njerëzit të urojnë se sa të shajnë, të thonë fjalën e mirë se sa fjalën e keqe. Sigurisht ky është me vend si predikim moral, por jo dhe si problem social. Lavdërimet iu bëhen atyre që i pëlqejnë ato, kurse njerëzit me stimë dhe integritet i refuzojnë lajkat, duke e shmangur nga vetja “dashurinë” e masave ndaj tyre. Autori i këtyre radhëve është trishtuar ndonjëherë kur “like” nuk ka vonuar as tre sekonda nga hedhja e një artikulli në FB, aq sa do të donte vetëm titulli për t’u lexuar. Dhe të presësh pastaj opinione e komente nga këta lloj individësh që nuk lexojnë, për vetëm të shohin fotografinë. Kësaj i thonë të kapesh për gjethesh e jo për degësh, le pastaj për trungu dhe për rrënjësh. Shikoni sa shqip e shkoqur e fshikullon këtë sindromë kolegu Bardhi Hyka: “Sa e bukur paraqitet jeta jonë nëpërmjet Facebook-ut! Por si është ajo në të vërtetë? Të gjithë e dimë dhe të gjithëve në pëlqen të gënjehemi dhe të gënjejmë. Kur do të jetojmë jetën tonë pa opinionin e të tjerëve? (Çfarë thonë për mua?) Le të heqim dorë nga kjo varësi, për t’u ndjerë sadopak vetja!” Të vjen keq që njeriu nuk arrin ta përdorë këtë rr(m)jet social si duhet, por i nënshtrohet atij.

Kjo tregon shpërdorimin e një pushteti aq të fuqishëm publiko-elektronik, që të krijon mundësinë e lidhjes më të gjithë botën me një lëvizje të dorës. Edhe pse rrjetet sociale, portalet dhe blogjet e ndryshme nuk janë institute, postuesit duhet të mbajnë përgjegjësi për atë që përcjellin për publikun, roma për toma. Dikush duhet t’i monitorojë e pengojë përdoruesit abuzues që të mos i nakatosin ato me gjysmë të vërteta të mbledhura andej-këndej, sidomos me “prurjet” pronografike etj. Na duhet të shpikim një strategji kombëtare, jo për të ndërtuar “njeriun demokratik”, por si të çmontojmë psikologjinë e “njeriut të ri” nga ky njeriu i sotëm “hibrid” kulturash lindore, abuzues i pashoq në shoqërinë moderne.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?