Gratë kosovare urojnë kryebashkiaket gra të Shqipërisë

Kryetarja e Gruas Demokratike të PDK-së, Justina Shiroka-Pula uron qytetarët e Republikës së Shqipërisë për procesin zgjedhor, i cili konsiderohet të jetë kryer në frymën më demokratike të mundshme.

Ajo ka përgëzuar të gjitha partitë politike pjesëmarrëse në garën elektorale, si dhe pjesëmarrjen e gruas nga këto parti si garuese për të parën e bashkisë.

“Inkurajuese është fakti që gruaja në këto zgjedhje ka shprehur vullnetin dhe guximin për të garuar për të parën e bashkive kundrejt kandidatëve të gjinisë tjetër, ndërsa edhe më trimërues është fakti i fitores së së paku tetë (8) kandidateve gra”, tha Shiroka-Pula.

Përveç urimeve të përzemërta për kryetaret e reja të bashkive, duke e konsideruar si sukses dhe vlerë të demokracisë, kryetarja e GD-së Shiroka-Pula tha se “kjo fitore duhet të jetë motiv për të gjitha gratë tjera si dhe kërkoi nga të gjitha partitë politike shqiptare që të jenë të hapura dhe përkrahëse më të mëdha për gratë në politikë dhe qeverisje. Përzemërsisht uroj kryetaret e reja të bashkive, suksesi i tyre në zgjedhje dhe qeverisje me siguri se do të jetë model për të gjitha gratë në tërë hapësirën shqiptare”, përfundoi Shiroka-Pula.

SHKARKO APP