Gratë në drejtimin e bizneseve, Shqipëria dhe Serbia kryesojnë rajonin
Shqipëria dhe Serbia renditen ndër vendet me përfaqësimin më të lartë të grave në pozicione drejtuese në rajon, sipas të dhënave të publikuara nga Eurofound, Fondacioni Europian për Përmirësimin e Kushteve të Jetesës dhe të Punës.
Sipas raportit, rreth 33% e punonjësve në Shqipëri dhe 35% në Serbi deklarojnë se kanë një grua në rolin e eprorit. Këto nivele i afrohen mesatares së Bashkimit Europian dhe tejkalojnë ndjeshëm vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Të dhënat tregojnë një rritje të rolit të grave në vendimmarrje dhe në drejtimin e bizneseve, duke reflektuar një treg pune më të orientuar drejt diversitetit gjinor krahasuar me vitet e para të tranzicionit.
Në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, përfaqësimi i grave në poste drejtuese mbetet më i ulët. Gratë zënë rreth 28% të pozicioneve drejtuese në Mal të Zi dhe 32% në Maqedoninë e Veriut, ndërsa shumica e posteve menaxheriale vijojnë të dominohen nga burrat.
Raporti evidenton se, ndonëse barrierat tradicionale gjinore mbeten të pranishme në këto vende, trendet e reja të lidershipit po krijojnë gradualisht më shumë hapësira për gratë në drejtim.
Në fund të renditjes rajonale pozicionohen Bosnja dhe Hercegovina, si edhe Kosova, të cilat regjistrojnë nivelet më të ulëta të grave në krye të bizneseve në Europë.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, mbi 75% e posteve drejtuese mbahen nga burrat, ndërsa në Kosovë kjo shifër kalon 80%, duke e kufizuar përfaqësimin e grave në vetëm 15–18%.
Mesatarja e Bashkimit Europian tregon se rreth një e treta e punonjësve kanë një grua si eprore, ndërsa 64% raportojnë se drejtohen nga burra. Shqipëria dhe Serbia janë të vetmet vende të rajonit që afrohen me këtë standard europian.
Ndërkohë, vendet nordike vijojnë të mbeten modeli më i avancuar për barazinë gjinore në drejtim. Në Suedi, gratë përfaqësojnë pothuajse gjysmën e posteve drejtuese, ndërsa Finlanda renditet gjithashtu ndër vendet me balancën më të lartë gjinore në Europë.
Sipas të dhënave të Eurofound, Shqipëria dhe Serbia paraqesin rezultate më të mira edhe krahasuar me disa vende të Bashkimit Europian, si Greqia dhe Malta, ku dominimi i burrave në pozicionet drejtuese mbetet më i lartë.
KOHA JONË SONDAZH

