Grekët ceremoni për Kaçifas në Bularat në 8 dhjetor. Forca të antiterrorit në Gjirokastër
Ditën kur në Bularat është paralajmëruar mbajtja e një ceremonie në kujtim të Kaçifës, 8 dhjetor ora 11:00, agjencitë shqiptare ligjzbatuese dyshojnë se në territorin shqiptar mund të hyjnë ekstremistët e shpallur non grata. Gazetari investigativ i Report Tv, Artan Hoxha tha në një lidhje telefonike për emisionin “Repolitix” se drejt Gjirokastrës janë nisur forca të antiterrorit. Forcat e sigurisë do patrullojnë kufirin për të penguar futjen e elementëve të rrezikshëm dhe njëherazi të shpallur të padëshirueshëm që prej ceremonisë mortore të Konstandin Kaçifas.
Forca të antiterrorit janë në vijën kufitare për të parandaluar dhe kontrolluar kufirin e gjelbër. Është përforcuar kordoni i kufirit të gjelbër në mënyrë që të prandalohet çdo tentativë për të penguar hyrjen në territorin shqiptar të simpatizantëve të Agimit të Artë. Nisur nga çfarë ndodhi herën e parë, kur u ça sistemi i sigurisë në vendin tonë, janë marrë masa që kjo gjë të mos përsëritet. Përveç 54 personave që u shpallën non grata ka edhe një numër të madh personash që kanë marrë pjesë në aktivitete antishqiptare brenda territorit dhe jashtë Shqipërisë. Prandaj, në këto kushte, do kemi një përqendrim të forcave policore në zonat e kufitare. Besoj se nuk do të shohim skenën që ndodhi gjatë ceremonisë mortore të Kaçifës.
“Ministria e Brendshme shpalli muajin e kaluar “persona non grata” dhe t’u ndalojë për pasojë hyrjen në të ardhmen në territorin shqiptar 54 shtetas grekë, të cilët morën pjesë të enjten në ceremoninë mortore të Kostandin Kacifas, i cili mbeti i vrarë disa ditë më parë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë në Bularat të Gjirokastrës. Masa ndaj tyre është marrë “për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike të këtij vendi”,- tha Hoxha.
Gazetari investigativ i Report Tv, Artan Hoxha zbuloi për emisionin “Repolitix” se është kërkuar nga disa qytetarë zhvillimi i një tubimi për shqiptarët e vrarë në Greqi ditët e fundit. Data e tubimit është zgjedhur 8 dhjetori, pikërisht ditën kur në Bularat do mbahet një ceremoni nga minoritarët për Konstandin Kaçifën. Artan Hoxha thotë se tubimi është kërkuar të zhvillohet përpara konsullatës në qytetin e Gjirokastrës, por autoritetet nuk kanë dhënë leje. “Ka edhe një iniciativë tjetër nga disa qytetarë të cilët janë mjaft të zhgënjyer nga qëndrimi që kanë mbajtur deri dje autoritetet shqiptare jo vetëm për Kaçifën, por edhe për ngajrjet e fundit që kanë ndodhur në Greqi, humbjen e jetës së 7 shtetasve shqiptarë në 2 javët e fundit. Është lajmëruar për në datën 8 dhjetor, ditën kur do mbahet një ceremoni përkujtimore për Kaçifën. Në sheshin “Çerçiz Topulli” i cili ndodhet përpara konsullatës greke, është njoftuar një tubim i cili synon që të grumbullojë sa më shumë shqiptarë me simbole kombëtare. Edhe pse është kërkuar një leje për këtë tubim, për 48 orë me radhbë policia e Gjirokastrës nuk ka miratuar grumbullimin për në datën 8. Nga kontakti që kam pasur sot me organizatorët, më kanë thënë se tubimi do zhvillohet sipas orarit dhe vendit të caktuar. Janë bërë ftesa në rrjetet sociale për një prani të madhe të shtunën e 8 dhjetorit në shesh në Gjirokastër”, u shpreh gazetari Artan Hoxha.
KOHA JONË SONDAZH

